Maqedoni
Propozim-ligji për Arsim të Lartë përplas partitë, Filipçe: Prek autonominë e universitetit
26.02.2026 15:00
Propozim-ligji për Arsim të Lartë, temë debati në shtëpinë legjislative....

Propozim-ligji për Arsim të Lartë, temë debati në shtëpinë legjislative. Socialdemokratët janë të mendimit se ligji prek autonominë e universitetit dhe njëherësh ai është kundër mbylljes së programeve, pasi siç tha, kjo bëhet pa argumente, por me dëshira personale. Kreu i LSDM-së thekson se ministrja në këtë rast ndikohet nga shefi i saj, Mickoski.
“Nuk mund të kuptoj. Si mund të shtyni një ligj të tillë me forcë, kur shihni se e tërë fusha akademike është kundër këtyre ndryshimeve. Ky ligj është antikushtetues. Qeveria nuk guxon të ndërhyjë në autonominë e universitetit. Nuk mund të mbyllni programe dhe universitete për dëshirën e një ministre dhe ekipit të saj. Më vjen keq që ministrja nuk është këtu. Kjo këtë nuk e bën me dëshirën e saj, por ka presion nga ju.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Mickoski: Do t’u japim imazh universiteteve
Shefi i ekzekutivit, Mickoski, pranon se në këtë proces është i përfshirë, me arsyetimin se dëshiron t’ua kthejë imazhin universiteteve, ndërkaq kjo bëhet me publikime në gazeta kualitative nga ana e profesorëve, e më tepër, sipas tij, kur ata marrin paga mbi 2000 euro.
“Po, unë jam i kyçur drejtpërdrejt në Ligjin për Arsim të Lartë bashkë me profesoreshën Vesna Janevska, sepse unë jam nga ajo sferë, dhe, po, nuk mund të pajtohem me faktin se nuk kemi universitet në 2.000 vendet e para sipas listës ranguese të Shangajit, aty ku ka, Lublanë, Zagreb, Beograd. E dini pse? Sepse në formë të kontrabandës, një ish-ministre e juaja dhe për fat të keq kolege e imja dhe e juaja i kaloi ndryshimet ligjore, Renata Deskovska, dhe sot mund të bëheni profesoreshë e rregullt pasi të publikoni gjashtë punime në konferencë studimore dhe në këshillin programor do të keni përfaqësues nga katër vende, shembull, nga Kosova, Serbia, Shqipëria, Maqedonia.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Propozim-ligji për Arsim të Lartë është në fazë të diskutimit publik nëpër universitetet e vendit dhe ka hasur në vërejtje, madje edhe në kundërshtime si i tërë. Një ditë më parë Universiteti i Tetovës kërkoi tërheqjen e tij.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
