Maqedoni

Rasti “Grubi”, Mickoski hedh poshtë spekulimet për ujdi

26.02.2026 15:20

Rasti “Grubi” ishte aktuale edhe në seancën për pyetje deputetësh...

Rasti “Grubi” ishte aktuale edhe në seancën për pyetje deputetësh. Fillimisht opozita maqedonase ka koketuar se pas dorëzimit të Artan Grubit qëndron një marrëveshje politike mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe vet Artan Grubit. Në këtë, kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, në pyetjet e deputetëve theksoi se kjo flet mjaftueshëm se në çfarë gjendje është opozita në përgjithësi. 
 
“Atë të cilën ata e mendojnë dhe e kanë bërë më herët, mendojnë se të gjithë ne e bëjmë. Ata mendojnë se nëse ato më herët në këtë mënyrë kanë kurdisur procese dhe kanë rrëzuar qeveri në të kaluarën përmes Revolucionit Laraman, me gënjeshtra, me konstruksione, me intervenime në Gjyqësor dhe Prokurori, mendojnë se edhe ne tani punojmë në këtë mënyrë, por JO! Duhet të kuptojmë se i аrratisuri është kapur nga organet e rendit, gjithçka më tutje është vendim i një sistemi tjetër, e ai është sistemi i drejtësisë dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Qeverinë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
VLEN: Kthimi i Grubit po përçan BDI-në
 
Ndërsa nga Koalicioni VLEN theksojnë se në BDI ka filluar përplasja e brendshme, sipas tyre në njërën anë është Ali Ahmeti me grupin e ish-funksionarëve që sot shtiren si të pafajshëm, ndërsa në anën tjetër është Artan Grubi, të cilin po këta, sa ishte në arrati, e ngarkuan personalisht me të gjitha të këqijat politike dhe korruptive të BDI-së.
 
“E vërteta është se Artan Grubi nuk është një ish-funksionar i zakonshëm, por njeriu që i njeh të gjitha hyrje-daljet e sistemit që BDI-ja e ndërtoi me vite. Ai është arkiva e gjallë dhe lëvizëse e një skeme partiake që për vite me radhë u fsheh nga opinioni. Kur kutia e zezë të përfundojë në duart e institucioneve, nuk do të ketë më hapësirë për aktrim e as për mite. Aty nis zbërthimi i vërtetë. Prandaj në BDI mbretëron panik. Institucionet kanë nisur të gërmojnë të vërtetën që BDI e ka varrosur me vite, si ndërtohej pushteti pas shpinës së qytetarëve dhe ku përfundonin paratë e buxhetit.”, - thuhet në komunikatën e VLEN-it. 
 
Gashi: Me Grubin të merret drejtësia
 
Por, njeriu një i Kuvendit, Afrim Gashi, u distancua nga çfarëdolloj komenti, për sa i përket rastit “Grubi”, ai tha se ky rast është në duart e Gjyqësorit dhe duhet ta lëmë që ato ta zgjedhin.
 
“Nuk është mirë të përzihemi në proceset gjyqësore, është koha e fundit që secili institucion ta bëjë punën e vet në mënyrë profesionale dhe të ndërgjegjshme dhe në fund të fundit për çdo process, përfshirë edhe këtë të fundit me rëndësi është drejtësia. Qytetarët duan drejtësi dhe ne duhet të punojmë që drejtësia të vije në këtë vend përfundimisht.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi ndodhet në arrest shtëpiak i akuzuar për keqpërdorime financiare në Lotarinë e Maqedonisë. 
 
FITIM KRYEZIU