Maqedoni
Vizitë zyrtare e Begajt në RMV, mbështetje për synimet e faktorit shqiptar
26.02.2026 15:30
Vizitën e nisi në Komunën e Çairit, ku u takua me kryetarin Izet Mexhiti....

Mbështetja për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ishin në qendër të vizitës së presidentit shqiptar Bajram Begaj në Maqedoninë e Veriut. Vizitën e nisi në Komunën e Çairit, ku u takua me kryetarin Izet Mexhiti.
“Presidenti na mbështet përpjekjet në synimet tona, sepse shqiptarët në Maqedoni të Veriut janë faktor i rëndësishëm edhe në ekzekutiv, edhe në proceset tjera. Normal që kemi biseduar për ligjin për përfaqësim adekuat të shqiptarëve, kemi biseduar për Marrëveshjen e Ohrit, frymën e Marrëveshjes së Ohrit, për integrimin e vendit për të kapur hapin bashkë me Shqipërinë.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Pas takimit, Begaj, i shoqëruar nga Mexhiti dhe zëvendëskryeministri Arben Fetai, vizitoi Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku u takua me përfaqësues të esnafit. Presidenti shqiptar vendosi lule edhe pranë përmendores së Gjergj Kastriotit - Skënderbeu. Begaj do të qëndrojë në vend deri të shtunën. Gjatë kësaj periudhe, në disa zona të Shkupit do të ketë regjim të posaçëm trafiku, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e policisë. Në kuadër të vizitës, presidenti shqiptar do të pritet me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake në kabinetin e presidentes së shtetit. Parashihen takim kokë më kokë mes dy presidentëve dhe më pas takim plenar i delegacioneve të të dyja vendeve.
ERSAN PAJAZITI
