Maqedoni

Kallëzim penal ndaj Deharit, dyshohet për dëmtim të buxhetit me 1.5 milion denarë

26.02.2026 15:51

Një tjetër kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Komunës së Kërçovës...

Një tjetër kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Komunës së Kërçovës, dy personave të tjerë dhe një kompanie private, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe punë të papërgjegjshme që ka rezultuar me dëmtimin e buxhetit komunal për një shumë prej rreth 1.5 milionë denarësh.
 
Sipas denoncimit zyrtar, i dyshuari kryesor, në cilësinë e ish-kryetarit të komunës, akuzohet se më datë 08.01.2025 ka miratuar një plan për furnizime publike në kundërshtim me Ligjin për Veprimtari Komunale, duke ia besuar mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra rreth ndërtesës së komunës një subjekti privat nga fshati Dllapkin Doll, edhe pse komuna posedon Ndërmarrjen e vetë Publike Komunale për këto shërbime. Përveç tij, kërkesa penale përfshin edhe personin me iniciale B.K. i cili akuzohet për “Punë të papërgjegjshme në shërbim”, pasi ka dështuar në mbikëqyrjen e duhur, si dhe administratorin e kompanisë private me iniciale D.S., i cili akuzohet për “Keqpërdorim të procedurës për thirrje publike” duke shkelur me vetëdije rregullat e tenderimit. Policia vlerëson se ky veprim është bërë me qëllim që kompania të përfitojë dobi pasurore në dëm të drejtpërdrejtë të buxhetit të Komunës së Kërçovës, ndërsa të gjitha provat dhe dokumentacioni përkatës i janë dorëzuar Prokurorisë për procedim të mëtejshëm penal.