Maqedoni
Bujar Nishani për marrëdhëniet dypalëshe: Shkupi të zbatojë MO-në, si garanci stabiliteti, dy qeveritë të bashkëpunojnë në agjendën evropiane
04.06.2015 18:31
Shqipëria, ashtu si edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit..

Shqipëria, ashtu si edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në frymë dhe në germën e saj, në zbatimin pa ekuivokë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të plotë.
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, thotë se kjo nuk ndodhë se Shqipëria dëshiron të bëjë padronin e shqiptarëve të Maqedonisë, por sepse ky është një dokument që mban edhe firmën e ndërkombëtarëve dhe ka të bëjë jo vetëm me stabilitetin e Maqedonisë, por edhe me stabilitetin në rajon.
“Shqiptarët janë element jetësor i shtetformimit të Maqedonisë dhe urë shumë e rëndësishme për marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Maqedonisë”- thekson Nishani në një intervistë për Televizionin ART.
“Kështu që përpjekjet dhe angazhimet e Shqipërisë kanë qenë, mbeten njëkohësisht mjaft të angazhuara dhe të rëndësishme për t’a forcuar gjithmonë e më shumë marrëdhënien e fqinjësisë së mirë dhe marrëdhëniet e mira midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, jo vetëm në kontekstin e atyre që unë përmenda më lartë, por edhe duke konsideruar si një të ardhme të përbashkët, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, që jemi tashmë dy vende, por edhe në kontekstin e prioriteteve strategjike që dy vendet tona kanë shpallur që është procesi i integrimit euroatlantik”- deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
“Këto objektiva strategjike që ka Maqedonia, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit kërkojnë bashkëpunim më të thellë mes qeverive” - thotë Nishani. Sipas tij, takimet duhet të gjenerojnë bashkëpunim në projekte të përbashkëta nën kujdesjen dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian.
“Takimet, dhe jo vetëm takimet formale, por takimet të cilat prodhojnë një angazhim të përbashkët, të prodhojnë realizimin e projekteve të përbashkëta, të prodhojnë një impakt të drejtpërdrejt tek jeta, veçanërisht ekonomike, por edhe sociale, dhe kulturore, dhe shoqërore, qoftë e qytetarëve në Shqipëri, qoftë e qytetarëve në Maqedoni, mbetet një domosdoshmëri dhe është një çështje, e cila duhet realizuar dhe nuk ka asnjë arsye që të shtyhet, natyrisht, që situata në Maqedoni, veçanërisht, kriza e rëndë politike që e ka përfshirë Maqedoninë, mund të krijojë problematika të tilla, por unë besoj që këto duhet të mbeten pjesë e një agjende të pandryshuar në të ardhmen”- tha presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
Sa u përket ngjarjeve në Kumanovë, presidenti shqiptar, Bujar Nishani, vlerëson se është në interesin e Maqedonisë, interesin e demokracisë dhe parimeve të shtetit ligjor dhe të drejtës në Maqedoni që rasti të ketë një hetim transparent dhe të besueshëm, i cili do të njohë në radhë të parë qytetarët e Maqedonisë, por edhe të gjithë vendet mike dhe partnere, dhe komunitetit ndërkombëtar, se cila është e vërteta e asaj ngjarje, pasi, sipas tij, ka shumë paqartësi dhe shumë informacione të ndryshme. Nishani, kërkon një hetim dhe një zbardhje të veçantë.
SHPËTIM NUREDINI
