Maqedoni

Begaj nga Shkupi: Përfaqësimi i drejtë, element kryesor për stabilitetin

27.02.2026 14:16

Begaj, gjatë vizitës në RMV, theksoi rolin shtetformues të shqiptarëve dhe kontributin e tyre në stabilitetin politik dhe integrimin euroatlantik...

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, theksoi rolin shtetformues të shqiptarëve dhe kontributin e tyre në stabilitetin politik dhe integrimin euroatlantik. Ai nënvizoi rëndësinë e përfaqësimit të drejtë në institucione dhe të përdorimit të gjuhës shqipe si faktor kyç për kohezionin dhe perspektivën evropiane.
 
“Ne besojmë se përfaqësimi i drejtë dhe dinjitoz i shqiptarëve në institucionet shtetërore, zbatimi i ligjit të gjuhës shqipe dhe ruajtja e mekanizimit të barazisë, janë elemente kryesore për stabilitetin dhe perspektivën evropiane. Koha na ka mësuar se çdo vendimmarrje e balancuar dhe gjithëpërfshirëse është zgjidhja më e mirë për qytetarët. Folëm me presidenten, për integrimin evropian, i cili nuk është vetëm objektiv kombëtar i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por objektiv i përbashkët. Objektivi ynë është të mbyllim kapitujt në vitin 2027 dhe të jemi në BE brenda vitit 2030.”, - deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
 
Siljanovska: Me Shqipërinë nuk kemi konteste, kemi bashkëpunim
 
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, sot në vilën “Vodno” e priti homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend. Siljanovska Davkova u shpreh se kjo vizitë përbën konfirmim të marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë çështje të hapura, por një bazë të fortë për bashkëpunim të mëtejshëm.
 
“Kjo vizitë paraqet edhe një konfirmim për marrëdhëniet e mira fqinjësore të cilat ndërtohen nëpërmjet respektit të ndërsjellë. Ne nuk kemi konteste të hapura, derisa s’kemi konteste kemi bazë të zgjeruar për bashkëpunim. Nevojitet lidhje infrastrukturore. Tema kryesore ka të bëjë me perspektivën evropiane. Shqipëria është më afër në këtë rrugë dhe unë shpreh kënaqësinë time për këtë. Unë përveç Shqipërisë dhe Malit të zi shoh hapa evropianë edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor. Kuptohet që fort jemi të përcaktuar dhe determinuar për BE-në. Anëtarësimi realizohet përmes reformave, veçanërisht me sundimin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe fuqizimin e institucioneve demokratike.”, - theksoi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Begaj dhe Siljanovska nënvizuan gjithashtu se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe maqedonasve në Shqipëri përbëjnë një urë të fuqishme miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.
 
ARMEND MURSELI