Botë
Afganistan, Pakistani kreu sulme ajrore ndaj Kabulit
27.02.2026 14:33
Përplasjet mes Afganistanit dhe Pakistanit janë përshkallëzuar sërish...

Përplasjet mes Afganistanit dhe Pakistanit janë përshkallëzuar sërish, duke çuar në përplasje vdekjeprurëse përgjatë kufirit. Pas muajsh tensionesh dhe sulmesh sporadike, Islamabadi shpalli “luftë të hapur” kundër talebanëve, duke theksuar se durimi i Pakistanit ka marrë fund. Shpërthime janë dëgjuar në Kabul, Kandahar dhe qytete të tjera. Është goditur edhe një kamp refugjatësh. Kryeministri Shehbaz Sharif deklaroi se vendi ka kapacitet të plotë për të shkatërruar ambiciet agresive.
“Rreth orës 03:00 të mëngjesit, nëntë persona të plagosur u sollën në Spitalin Rajonal të Specializuar në Nangarhar. Njëri prej tyre është në gjendje kritike.”, - deklaroi drejtori i Shëndetit Publik në Nangarhar, Aminullah Sharif.
“Forcat pakistaneze hodhën predha mortaje, dhe ai bashkë me njërën nga vajzat e tij u plagosën në sulm.”, - u shpreh anëtari i familjes së të plagosurit, Samiullah.
“Këta shtypës na sulmuan. Cili ishte faji ynë? Sapo kishim mbërritur të rraskapitur e të lodhur; nuk na lejuan të qëndronim në Pakistan, dhe tani po na sulmojnë. Çfarë duhet të bëjmë?”, - tha anëtari i familjes, Shir Zaman.
Sulmet nga Pakistani erdhën disa orë pasi ushtria afgane kreu goditje hakmarrëse dhe mori nën kontroll rreth dhjetë poste kufitare, si përgjigje ndaj sulmeve të fundit pakistaneze, ku humbën jetën të paktën 18 persona. Talibanët pretendojnë se kanë vrarë 50 ushtarë pakistanezë.
“Si përgjigje ndaj sulmeve ajrore të fundit të kryera nga forcat pakistaneze, njësitë kufitare dhe të këmbësorisë nisën sulme intensive ndaj pozicioneve të milicisë pakistaneze në zona të ndryshme pranë të ashtuquajturës Linja Durand, në provincat Kunar dhe Nangarhar.”, - theksoi zëdhënësi i Korpusit 201 “Khalid bin Ualid”, Maulvi Uahidullah Mohamadi.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e sulmeve. Përfaqësues të OKB-së bënë thirrje për de-përshkallëzim të menjëhershëm të luftimeve, ndërsa për dialog dhe negociata bëri thirrje edhe Kina. Irani ofroi ndërmjetësim për t’i dhënë fund konfliktit.
“Si fqinj dhe mik, Kina është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin dhe e pikëlluar për viktimat e shkaktuara nga konflikti. Çdo përshkallëzim do t’u shkaktojë dëm dhe humbje të dyja palëve. Ndërprerja e armiqësive është në interesin themelor të të dy vendeve dhe popujve dhe mund të ndihmojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.”, - deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, një aleat i Pakistanit, zhvilloi një takim me homologun pakistanez në përpjekje për të ulur tensionet.
FITORE NAGAVCI
