Maqedoni

Vesna Janevska: Ligji për Arsimin e Lartë nuk tërhiqet

27.02.2026 14:42

Janevska ka ripërsëritur qëndrimin e saj se Ligji i ri për Arsimin e Lartë nuk ka nevojë që të largohet...

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka ripërsëritur qëndrimin e saj se Ligji i ri për Arsimin e Lartë nuk ka nevojë që të largohet, edhe përskaj shumë vërejtjeve të shumta, të cilat i ka pranuar gjatë debatit publik me Universitetet Publike dhe Private. Sipas saj, të gjitha mangësitë teknike, të cilat mund të vërehen në ligj, por edhe vërejtjet të cilat hapur i kanë shfaqur universitetet do të merren për bazë dhe grupi punues do të ulet që të njëjtat t’i inkorporojë në vet ligjin. 
 
“Ligji me të vërtet nuk ka nevojë të largohet, sepse secili largim ose shtyrje e kësaj zgjidhjeje ligjore është në dëm të arsimit sipëror, por edhe të vet studentëve dhe shtetit në përgjithësi. Deri më tani kemi dëgjuar disa vërejtje konstruktive, të cilat do të inkorporohen në ligjin në fjalë, shumë vërejtje po përsëriten nga disa universitete.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
Janevska po ashtu theksoi se disa nga vërejtjet të cilat i ka pranuar grupi i punës, me të vërtetë nuk kanë kurrfarë kuptimi, por, sipas saj edhe për këto, grupi i punës do të ulet dhe do të sjellë një version të kapshëm, dhe pastaj ligji do të kalojë në seancë qeveritare. Janevska po ashtu theksoi se të gjithë studentët, të cilët i kanë regjistruar tanimë studimet e tyre, ato do të vazhdojnë me ato akreditime deri në përfundimin e tyre, ndërsa nuk dha zgjidhje se çfarë do të bëhet me profesorët e universiteteve private, të cilët nuk do të ketë lëndë studimore në bazë të akreditimeve të reja. 
 
“Studentët do t’i mbarojnë studimet e tyre sipas akreditimeve me të cilat kanë filluar, dhe për to nuk ka kurrfarë rreziku, ndërsa profesorët e dinë se kur punësohen në ndonjë universitet privat se aty ka disa rreziqe. Por, sikur të ishte ashtu siç duhej të ishte dhe të mos ndodhnin shërbimet ilegale në disa universitete, nuk do të vinte koha që atyre t’u merreshin akreditimet.”, - theksoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska. 
 
Janevska theksoi se drejtimet e Mjekësisë, Drejtësisë dhe studimet mësimore nuk do të jenë më si akreditime në universitetet private. Numri një i MASh-it po ashtu apeloi se gjendja me arsimin e lartë është katastrofike dhe prandaj secili që ia dëshiron të mirën këtij vendi dhe këtyre të rinjve duhet këto ndryshime t’i përkrahë. 
 
FITIM KRYEZIU