Rajon
Prokuroria në Hagë: Thaçi tentoi të ndikojë te dëshmitarët
27.02.2026 14:55
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kliaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi deklarohen të pafajshëm lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë....

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kliaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi deklarohen të pafajshëm lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë. Por, kryeprokurorja e specializuar, Kimberli Uest, tha se në këtë rast gjyqësor, Hashim Thaçi akuzohet se sistematikisht dhe në mënyrë të vazhdueshme ka ndërhyrë në dëshmitarë, si dhe ka shkelur urdhra gjyqësorë, të cilët kanë synuar mbrojtjen e informacionit konfidencial. Një nga anëtarët e Prokurorisë nxori në ekran disa prej deklaratave të përgjuara që Hashim Thaçi ka bërë gjatë takimeve dhe bisedave që ka pasur me të akuzuarit për këtë rast dhe me persona të tjerë.
““Thjeshtëzoje, mos e ngatërroni! Thuaj shkurt, thuaj që të mos e filozofojë! Do t’i korrigjojë! Kur vjen këtu, para se të hyjë në sallë duhet t’i korrigjojë. Thuaji që s’i ke parë të dy ato që nga ’94-ta deri në ‘98-ën. Mbylle!” Të gjitha këto janë udhëzime, të cilat Hashim Thaçi u ka thënë të bashkëakuzuarve të tij, ndërkohë që ai ishte i paraburgosur këtu në Hagë në vitin 2023. Komanda e drejtpërdrejtë e Thaçit ndaj të bashkëakuzuarve ju tregon se për çfarë bëhet fjalë për këtë çështje gjyqësore. Këtu bëhet fjalë për përpjekje të qëndrueshme dhe sistematike të z.Thaçi, për ta penguar punën e kësaj gjykate, duke u përpjekur për të ndërhyrë në dëshminë e dëshmitarëve, duke nxjerr informacion konvencional të dëshmitarëve dhe duke mos iu bindur urdhrave të gjykatës.”, - deklaroi prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Ndërsa, për të akuzuarit e tjerë, Prokuroria në Hagë tha se kanë marrë pjesë në mënyrë të paligjshme në kryerjen e veprimeve për të cilat ngarkohen, si shkelje e vendimeve që kanë pasur synim që dëshmitarëve dhe viktimave t’u pamundësohet që të japin dëshmi pa frikë.
GYLTENE SINANI
