Rajon
Rama riformaton Qeverinë, largoi Ballukun dhe Spiropalin
27.02.2026 15:57
Kryeministri Rama firmosi largimin e Belinda Ballukun nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës...

Kryeministri Rama firmosi largimin e Belinda Ballukun nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, pasi edhe Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e saj.
Në krahun e tij të djathtë mori Albana Koçiun, që deri më tani drejtoi Ministrinë e Brendshme, ndërsa portofolin e Energjisë ia besoi Enea Karakaçit, dikur vartësi i Ballukut.
Pasi Koçiun e mori më pranë vetes, Ministrinë e Brendshme që ajo e drejtoi për vetëm 5 muaj ia besoi Besfort Lamallarit deri më tani ministër Drejtësie. Në vend të tij emëroi Toni Gogun.
Surprizë ishte largimi i Elisa Spiropalit. Rama vendosi të kthejë në Tiranë një nga figurat më të spikatura të diplomacisë në krye të Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxhën, ish-ambasador i Shqipërisë në BE dhe OBK.
I ndëshkuar duket edhe Pirro Vëngu, i cili shkarkohet si ministër i Mbrojtjes për t’ia lënë vendin Ermal Nufit, zyrtar në Kryeministri. Pas nisjes së hetimit për Ballukun, Ramës iu desh të riformatonte Qeverinë pa bërë ende 6 muaj nga nisja e mandatit të ri.
Ndryshimet në Qeveri, Rama i njoftoi pas mbledhjes maratonë me deputetët dhe ministrat në pallatin e brigadave, duke i dedikuar këtyre lëvizjeve të rëndësishme vetëm disa sekonda në fund të takimit.
LULJETA NDOKA
