Botë

ShBA dhe Izraeli e sulmuan Iranin, Irani: Është koha të mbrojmë atdheun

28.02.2026 13:05

Shtetet e Baskuara të Amerikës dhe Izraeli mëngjesin e sotëm...

Shtetet e Baskuara të Amerikës dhe Izraeli mëngjesin e sotëm nisën sulme të përbashkëta ndaj Iranit. Tensionet janë përshkallëzuar. Sirenat e sulmeve ajrore po dëgjohen në të gjithë qytetet izraelite dhe qytetarëve u është kërkuar të strehohen menjëherë, pasi Irani ka njoftuar një hakmarrje “shkatërruese”.
 
Shpërthime ka edhe në lindje dhe veri, përfshirë edhe Teheranin. Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka kërkuar që Garda Revolucionare Iraniane të dorëzonte armët dhe iranianët të merrnin në dorë qeverinë.
 
“Dorëzoni armët. Do të trajtoheni me drejtësi dhe me imunitet të plotë, ose do të përballeni me vdekje të sigurt. Ora e lirisë suaj është afër. Qëndroni të sigurt. Mos dilni nga shtëpia. Jashtë është shumë e rrezikshme. Bombat do të bien kudo. Kur të përfundojmë, merrni qeverinë tuaj. Kjo ndoshta do të jetë mundësia juaj e vetme për breza të tërë. Prej vitesh keni kërkuar ndihmë nga Amerika, por kurrë nuk e morët. Asnjë president nuk ishte i gatshëm të bënte atë që unë jam i gatshëm të bëj. Tani keni një president që ju jep atë që dëshironi. Të shohim si do të përgjigjeni. Amerika ju mbështet me forcë të madhe dhe shkatërruese. Tani është koha të merrni kontrollin mbi fatin tuaj”, deklaroi presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.
 
Disa orë pas sulmit ndaj Teheranit, Irani lëshoi raketa drejt Izraelit. Garda Revolucionare njoftoi për një kundërsulm masiv me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në pesë vende të Gjirit Persik.
 
“Kjo është një operacion kundër një kërcënimi real që është shfaqur kundër nesh muajt e fundit. Sistemet tona mbrojtëse janë të vendosura dhe të gatshme, por mbrojtja nuk është hermetike. Ju bëj thirrje të dëgjoni njoftimet dhe të veproni sipas udhëzimeve të përditësuara të Komandës së Frontit të Brendshëm”, u shpreh zëdhënës i mbrojtjes Izraelite, Efi Defrin.
 
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po sulmojnë objektiva të regjimit shtypës, objekte të Gardës Revolucionare, së bashku me ushtrinë e SHBA-ve, duke goditur lokacione me raketa balistike që kërcënojnë si Izraelin ashtu edhe forcat amerikane. Ky operacion do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
 
Ministria e Jashtme iraniane njoftoi se vendi nuk do të hezitojë në përgjigjen e tij ndaj agresionit të ripërtërirë ushtarak.
 
“Ka ardhur koha të mbrojmë atdheun dhe të përballemi me sulmin ushtarak të armikut. Ashtu siç ishim të gatshëm për negociata, në çdo kohë kemi qenë edhe më të gatshëm për mbrojtje. Forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit do t’u përgjigjen me vendosmëri agresorëve me autoritet të plotë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së iraniane.
 
Komuniteti ndërkombëtar bëri thirrje për ulje tensionesh, ndërsa Iraku mbylli hapësirën ajrore dhe shumë kompani anuluan fluturimet në Lindjen e Mesme. Trump prej javësh kishte paralajmëruar sulm dhe kishte forcuar praninë ushtarake amerikane në rajon për shkak të programit bërthamor dhe protestave që rezultuan me viktima.
 
AMREND MURSELI