Maqedoni
Bajram Begaj e vizitoi Tetovën
28.02.2026 14:29
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë sot Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj...

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë sot Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ndaloi për vizit në Tetovën. Presidenti u prit nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, duke theksuar lidhjet e forta historike, kulturore dhe shpirtërore mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.Kreu i komunës, Bilall Kasami, vlerësoi praninë e Presidentit si një mesazh të qartë uniteti dhe bashkëpunimi, duke theksuar se kufijtë administrativë nuk mund të ndajnë kombin shqiptar.
“Kjo prani sot në Tetovë është dëshmi se kufijtë administrativë nuk na ndajnë dhe nuk mund ta ndajnë kombin tonë. Është dëshmi se gjuha jonë, kultura jonë dhe historia jonë janë më të mëdha se çdo distancë dhe se e ardhmja jonë ndërtohet bashkë me projekte konkrete, me vizion të përbashkët dhe përgjegjësi ndaj të gjithë brezave që vijnë. I nderuar President, Tetova është këtu, Shqipëria është këtu, kombi ynë është gjallë”, u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Nga ana e tij, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit kombëtar, duke ftuar të gjithë shqiptarët të jenë kontribuues aktivë në këtë mision.
“Të gjithë ne duhet të bëhemi misionarë, misionarë të shqiptarisë. Të ruajsh gjuhën, traditat dhe elementet e tjera identitare dhe t’i promovosh këto vlera ndër breza e ndër vise është kauza jonë e përbashkët”, theksoi presidenti i Shiqpërisë, Bajram Begaj.
Gjatë qëndrimit në Tetovë, Presidenti vizitoi Shkollën Fillore “Liria”, Arabati Baba Teqe dhe Universiteti i Tetovës. Në Universitetin e Tetovës, ai theksoi se ky institucion nuk ka lindur nga një dekret administrativ, por nga një vendim i guximshëm historik, duke e cilësuar atë si një simbol të përpjekjes dhe vizionit arsimor të shqiptarëve.
VISAR SADIKI
