Botë
Shqipëria apelon për kujdes qytetarëve shqiptarë në Iran
28.02.2026 15:53
Pas sulmeve në Iran, ka reaguar sot Kryeministri Edi Rama duke theksuar...

Pas sulmeve në Iran, ka reaguar sot Kryeministri Edi Rama duke theksuar nevojën për veprim të qartë dhe të vendosur kundër Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.
Rama e quajti këtë trupë “organizatë terroriste” dhe u shpreh se Shqipëria do ta listojë zyrtarisht mes organizatave të tilla, duke u bashkuar kështu me qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
“Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike është një organizatë terroriste dhe duhet trajtuar si e tillë. Jo vetëm përmes sanksioneve ndaj Republikës Khomeiniste, por duke e quajtur zyrtarisht me emrin e saj të vërtetë dhe duke e listuar mes organizatave terroriste, ashtu siç e kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja” ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka lëshuar një njoftim për qytetarët shqiptarë në Iran. Ajo njofton se po ndjek me vëmendje situatën në Lindjen e Mesme dhe është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike. Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar.
“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme po ndjek me vëmendje situatën e fundit në Lindjen e Mesme dhe është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike në rajon. MEPJ këshillon qytetarët shqiptarë që ndodhen aktualisht në Republikën Islamike të Iranit të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar. Për çdo emergjencë apo nevojë, qytetarët shqiptarë që gjenden në Iran mund të kontaktojnë me përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore në këto vende”, thuhet në njoftimin e MPJ të Shqipërsië.
Kosova qëndron krah ShBA së në sulmet ndaj Iranit
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përmes një deklarate publike ka thënë se mbështet sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, regjimin e të cilit e ka përshkruar të atillë që për dekada e ka shtypur popullin e vet, e ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Ne qëndrojmë krah presidentit amerikan Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci. Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje”, është thënë në deklaratë.
Mes tjerash është përmendur se Kosova solidarizohet me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike. Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, pasi ky i fundit nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
FITIM KRYEZIU
