Maqedoni
Jurisprudenca në shqip, Ademi: Të veprojnë organet, do të protestojmë
01.03.2026 13:11
Kërkesa e studentëve për dhënien e provimit në gjuhën shqipe...

Kërkesa e studentëve për dhënien e provimit në gjuhën shqipe nën mjegullnajë dhe pa veprime konkrete, që për rrjedhojë, studentët paralajmëruan mobilizim dhe protestë. Përfaqësuesi i i nismës studentore, Mevlan Ademi, mbron qëndrimin se kërkesa e tyre është legjitime dhe ka baza jurdike.
Për TVM2 thotë se neni 2 i ligjit për përdorimin e gjuhëve flet për komisionet, e në këtë rast, komisionet duhet ta shfrytëzojnë gjuhën të cilën e flasin 20% të popullatës.
“Problematika ligjore është që ligji për provimin e jurisprudencës nuk e specifikon gjuhën në të cilën duhet të mbahet i njëjti. Ne përsëri kthehemi në Ligjin për përdorimin e gjuhës, neni 23, paragrafi 4, 5, i cili thotë që në rast të një afati kohor prej një viti nuk harmonizohen ligjet e tjera me Ligjin për përdorimin e gjuhës, organet detyrohen ta zbatojnë këtë ligj”, deklaroi përfaqësuesi i nismës studentore Mevlan Ademi.
Mustafa: Mungon vullneti politik, ka baza ligjore
Ish anëtari i Këshillit gjyqësor dhe eksperti i fushës, Milazim Mustafa, vlerëson se kërkesa për njohjen e gjuhës maqedonase nga gjyqtarët dhe prokurorët nuk duhet të ndërlidhet me fazën e provimit profesional. Ajo mund të jetë pjesë testuese gjatë marrjes së funksionit, shton ai, por jo në këtë fazë të provimeve.
Ligjërisht, kanë të drejtë kandidatët shqiptarë ta mbajnë provimin e jurisprudencës në shqip, sqaron Mustafa, dhe kjo sipas tij, pa ndonjë ligj shtesë.
“Është e drejtë e tyre legjitime të cilën ua garanton edhe kushtetuta, edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve edhe ligjet tjera në vend…Nuk ka nevojë as për ndryshime ligjore, as për plotësimin e ligjeve ekzistuese, vetëm se mungon vullneti i Ministrisë së drejtësisë, ta bëjë këtë gjë, t’ua mundësojë kandidatëve që provimit t’i nënshtrohen në gjuhën e tyre amtare”, u shpreh ish antari i këshillit gjyqësor Milazim Mustafa.
Idrizi: Po mblidhen faktet, shqipja ka status zyrtar
Ndërkohë, Inspektorati për zbatimin e gjuhëve po mbledh fakte. Peticioni studentor ka baza për inspektim, shprehet në pyetjen tonë drejtori, Arsim Idrizi.
Është dhënë urdhër nga ana ime në bazë të nenit 58 të ligjit për mbikqyrje inspektuese.
Si rezultati i kësaj është hapur lëndë, po mblidhen faktet dhe po punohet në atë drejtim. Shqipja ka status të gjuhës zyrtare dhe peticioni mund të përbëjë bazë për inspektim. Provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe e garanton edhe Kushtetuta edhe Ligji”, theksoi drejtori Arsim Mustafa.
M. e Drejtësisë: Vetëm maqedonisht e garantojnë dispozitat
Por nga Ministria e drejtësisë këmbëngulin. Provimin e jurisprudencës në shqip nuk e mundëson asnjë akt juridik, shprehen me shkrim nga ky dikaster.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve mundëson përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në procedurat para institucioneve, por zbatimi i tij nuk mund të shqyrtohet i izoluar nga ligjet e tjera sistemore që rregullojnë funksionimin e sistemit gjyqësor. Për më tepër, Ligji për provimin e jurisprudencës nuk përmban dispozita për dhënien e provimit në gjuhë tjetër, përveç gjuhës maqedonase”, thuhet në komunikatën e ministris së Drejtësisë.
Sali: Grupi punues po punon, zgjidhja brenda një muaji
Zgjidhja e këtij problemi mund të vijë pas disa javëve pasi të sjellë përfundim grupi i punës i anagzhuar për këtë problematikë, premtoi zv.kryeministri Bekim Sali për emisionin tonë televiziv, 1 dhe 1.
“E kemi parasysh se e nëjta situatë po na paraqitet në shumë ligje dhe në disa raste insistimi im ka qenë se nëse e hapim një, t’i hapim një pas një të gjitha të dyshimtat që na krijojnë probleme…Nuk kam insituar në kohë, kemi dhënë afat një muaj, një e gjysëm që të kryhet kjo punë. Përafërsisht për një muaj do të kemi zgjidhje konkrete”, theksoi zv.kryeministri Bekim Sali.
Lënda po shqyrtohet edhe të Avokati i Popullit ndërsa për hallin e studentëve janë njoftuar edhe ambasadat.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
