Maqedoni

Përçarje apo unifikim, Bela: Nevojitet bashkim, jo ndarje

01.03.2026 13:32

Procesi i paralajmëruar për shndërrimin e koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik...

Procesi i paralajmëruar për shndërrimin e koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik po përballet me sfida serioze të brendshme.Nga koalicioni është bërë e ditur se po punohet drejt unifikimit dhe se ekziston vullnet politik për bashkim në një parti të vetme, zhvillimet e fundit në Lëvizjen BESA dhe në Aleancën për Shqiptarët të drejtuar nga Arben Fetai tregojnë për tensione dhe ndasi që mund ta komplikojnë këtë proces.
 
Politologu Valon Bela vlerëson seçdo ndarje e re brenda bllokut politik shqiptar do të nënkuptonte dobësim të peshës elektorale dhe rrjedhimisht të fuqisë negociuese në realizimin e të drejtave dhe avancimeve politike
 
“Bashkimi i subjekteve shqiptare në qeveri në një subjekt të vetëm, siç është paralajmëruar për VLEN-in, po del se është problem më i gjerë dhe më i theksuar. Kjo shpjegohet me ndasitë që ekzistojnë brenda vetë subjekteve, qoftë në BESA, qoftë në ASH-në e Arben Fetait. Megjithatë, pavarësisht këtyre dallimeve, duhet bërë maksimumi që të ruhen dy kampet politike shqiptare, në mënyrë që të mos fragmentarizohet vota shqiptare”, deklaori politologu Valon Bela.
 
Ai thekson se fokusi i subjekteve në qeveri duhet të zhvendoset nga debatet e brendshme drejt rezultateve konkrete për qytetarët.
 
“Ky debat për bashkimin apo përçarjet është jo-produktiv dhe nuk u sjell shqiptarëve asnjë të mirë në kuptimin e realizimit programor, përmirësimit të standardit jetësor, punësimeve apo euro-integrimeve. Subjektet brenda VLEN-it duhet ta kenë në mendje interesin shqiptar para atij partiak. VLEN është futur në vitin e dytë të qeverisjes dhe duhet të dalë me rezultate konkrete”, theksoi Bela.
 
VLEN ka paralajmëruar formalizimin e unifikimit në një parti të vetme politike, por mbetet të shihet nëse zhvillimet e fundit do ta ngadalësojnë apo rikonfigurojnë këtë proces.
 
ERSAN PAJAZITI