Maqedoni

Projektligji për arsimin e lartë, Zejneli: Të gjendet një draft më i arsyeshëm

01.03.2026 14:14

Projektligji për Arsimin e Lartë ka përplasur Ministrinë e Arsimit...

Projektligji për Arsimin e Lartë ka përplasur Ministrinë e Arsimit me universitetet, të cilat kundërshtojnë çdo ndërhyrje në autonominë e tyre.
 
Më shumë se 200 profesorë universitarë i janë drejtuar me letër publike ministres së Arsimit, Vesna Janevska, duke theksuar se autonomia universitare është vlerë themelore dhe nuk mund të vihet në diskutim apo të negociohet, dhe shumë vëretje tjera që drejtpërdrejt ndikojn në punën e tyre si profesor universitar.
 
Në të njëjtën linjë është rreshtuar edhe Rektori i Universiteti i Tetovës, Jusuf Zejneli, i cili në debatin publik të organizuar për këtë çështje deklaroi se autonomia nuk duhet të preket dhe se Senati i universitetit kërkon tërheqjen e draftit.
 
“Senati i UT-së propozon që ligji më mirë të tërhiqet, të rishikohet dhe të gjendet një draft më i arsyeshëm, i cili është në harmoni me gjendjen reale”, deklaroi rektori i UT-së, Jusuf Zejneli.
 
Megjithëse projektligji është propozuar, autorët dhe hartuesit e tij mbeten anonimë. E pyetur nëse në hartimin e ligjit kanë marrë pjesë profesorë shqiptarë, ministrja Janevska deklaroi se po, duke premtuar publikimin e emrave në ueb-faqen e ministrisë. Por deri më tani, këta emra nuk janë bërë publikë.
 
“Edhe nga USHT ka pasur persona që kanë marrë pjesë në krijimin e ligjit. Nuk mund t’ju them përmendësh emrat. Do t’i pyes nëse lejojnë të publikohen, dhe do t’i publikoj në ueb-faqe. Në afat prej 5 minutave do t’i zbulojmë emrat shqiptarë”, theksoi ministrja e arsimit Vesna Janevska.
 
Ndërkaq, Universiteti i Tetovës, Universiteti Nënë Tereza dhe Universiteti i Evropës Juglindore dri më tani mohojnë kategorikisht përfshirjen e profesorëve të tyre në hartimin e projektligjit. Sipas tyre, asnjë profesor nga këto institucione nuk ka marrë pjesë në procesin e përgatitjes së draftit.
 
Ata paralajmërojnë se ligji ndikon drejtpërdrejt në autonominë universitare dhe cenon pavarësinë institucionale nga pushtetet e tjera.
 
VISAR SADIKI