Maqedoni

Akuza ndaj pushtetit për investime të huaja, Filipçe: Qeveria ka ulje të investimeve për 729 mln €

01.03.2026 15:38

Ekonomia maqedonase po përkeqësohet, ndërsa qytetarët...

Ekonomia maqedonase po përkeqësohet, ndërsa qytetarët mezi po arrijnë të përballojnë shpenzimet e jetesës, theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. Ai shtoi se kishin paraqitur propozime konkrete për të ndihmuar qytetarët, përfshirë rritjen e pagës minimale, por sipas tij, pushteti i ka refuzuar të gjitha. Ai akuzoi Qeverinë për rënien e investimeve të huaja për 729 milionë euro.
 
“Një pjesë e kësaj janë edhe të dhënat e fundit nga Banka Popullore, të cilat tregojnë një rënie dramatike prej 61 për qind të investimeve të huaja direkte. Me Hristijan Mickoskin në krye të Qeverisë, në vitin 2025 ka ulje të investimeve të huaja për 729 milionë euro krahasuar me vitin 2024. Pra, në vitin 2024, si rezultat i të gjitha politikave ekonomike të Qeverisë së LSDM-së gjatë shtatë viteve të fundit, u arrit kulmi me vlerën më të lartë rekord të investimeve të huaja direkte prej 1.196.000.000 euro, ndërsa tani në vitin 2025 vetëm 467 milionë euro. Ky është praktikisht rezultati i politikës ekonomike të kësaj Qeverie dhe i kryeministrit thjesht një debakël”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Mickoski: Jemi të fokusuar në investimet kapitale
 
Nga VMRO-DPMNE nuk kanë reaguar ndaj pres konferencës së kryetarit të LSDM-së, por kryeministri Mickoski në përurimin e qarkores së rikonstruktuar në Kriva Pallankë theksoi se janë të fokusuar në investimet kapitale.
 
“Këto investime do t’i nxisin njerëzit të kthehen në shtëpi. Ne vazhdojmë të fokusohemi në investimet kapitale. Pres që shumë shpejt, duke filluar nga sot, gjithçka për të cilën kemi folur gjatë këtyre dy viteve të realizohet”, theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Sipas Mickoskit, rikonstruimi i qarkores në Kriva Pallankë  është një projekt shumë i rëndësishëm në kuadër të Korridorit 8, i cili është vazhdim i rrugës ekspres Stracin–Kriva Pallankë dhe lidhje rrugore me pikën kufitare Deve Bair, që përbën lidhjen kryesore me Republikën e Bullgarisë.
 
ARMEND MURSELI