Botë
Lindja e Mesme në flake, sulme të reja mes Izraelit dhe Iranit
01.03.2026 15:58
Bombardimet kanë vazhduar në Teheran...

Forcat ajrore izraelite kanë vazhduar me një valë të re sulmesh ndaj objektivave, ndërkohë është Irani po kundërpërgjigjur. Shpërthime janë regjistruar mëngjesin e sotëm edhe në vende të Gjirit Persik.
Izraelitët e kaluan natën në frikë dhe në strehimore pasi u njoftua se, është vrarë ajatollahu Ali Khamenei, si dhe komandantë dhe zyrtarë të lartë të Gardës Revolucionare Iraniane, në kuadër të sulmeve të djeshme amerikano-izraelite ndaj Iranit.
“Ka shumë pasiguri, por në të njëjtën kohë edhe shumë shpresë për të ardhmen”, deklaroi qytetari i Tel Avivit.
“Shpresojmë që populli i tyre të mund të çlirohet nga këta ajatollahë, këta shiitë ekstremë e të rrezikshëm që e urrejnë Izraelin”, u shpreh qytetari i Tel Avivit.
“Situata është e shkëlqyer. Më në fund i sulmuam iranianët dhe së shpejti do të kemi paqe”, theksoi qytetari i Tel Avivit.
“Mendoj se situata kufizohet me çmendurinë. Udhëheqja jonë është jashtëzakonisht e paqëndrueshme. Hyrja në këtë luftë do të na sjellë probleme serioze për ekzistencën tonë të mëtejshme këtu dhe do ta minojë edhe më shumë qëndrueshmërinë tonë. Ka kohë që është e paqëndrueshme”, deklaroi qytetari i Tel Avivit.
Irani shpalli 40 ditë zie pas vrasjes së Khameneit. Opinionet janë të ndara. Disa gëzohen që më në fund u eliminua njeriu që drejtoi vendin për 37 vjet, të tjerë vajtojnë. Para përfaqësive diplomatike amerikane në rajon ka protesta masive.
Qindra demonstrues proiranianë u përpoqën të hyjnë me forcë në konsullatën amerikane në Karaçi; të paktën tetë persona humbën jetën. Demonstrues sulmuan edhe ambasadën e SHBA-së në Bagdad. E ardhmja e Republikës Islamike është e pasigurt dhe ka frikë nga destabilizimi rajonal.
“Nuk do ta humbasim rrugën e drejtë. Qoftë i mallkuar Izraeli. Vdekje Amerikës”, deklaroi banori i Teheranit.
“Po, ne vajtojmë, por nuk jemi rrëzuar. Dëgjojeni këtë: do t’ia mësojmë gjithë botës çfarë gabimi keni bërë. Allahu është më i madhi”, theksoi banori i Teheranit.
Në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Uashingtoni dhe Teherani shkëmbyen paralajmërime të ashpra. Agjencia bërthamore e Kombeve të Bashkuara do të mbajë nesër një takim urgjent.
Irani pretendon se ka sulmuar 27 objekte amerikane në Lindjen e Mesme, pavarësisht paralajmërimeve të presidentit amerikan për të mos iu kundërpërgjigjur sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit.
“Irani sapo deklaroi se sot do të godasë shumë fort, më fort se kurrë më parë. Megjithatë, më mirë të mos e bëjnë, sepse nëse e bëjnë, ne do t’i godasim me një forcë që nuk është parë kurrë më parë!”, ka deklaruar Donald Tramp.
Liderët perëndimorë shprehin mbështetje për veprimet e SHBA-së, por distancohen nga çdo lidhje me operacionin “Zemërim Epik”.
ARMEND MURSELI
