Maqedoni

Bushati, në interpelancë për Kumanovën: Shkupi, në krizë politike. Të zbatojë “Ohrin”

04.06.2015 20:23

Gjatë punimeve të kësaj të enjteje në Kuvend, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati...

Gjatë punimeve të kësaj të enjteje në Kuvend, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, është thirrur në interpelancë nga deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, mbi ngjarjet e Kumanovës në Maqedoninë fqinje.
 
Deputetja demokrate i konsideroi ngjarjet e ndodhura në qytetin shqipfolës të Maqedonisë si një ndodhi që kërkon hetim ndërkombëtar, pasi edhe sot e kësaj dite, ende nuk dimë shkaqet që çuan në pasjen e asaj përplasjeje të armatosur mes një grupi luftëtarësh nga Kosova dhe forcave speciale të qeverisë së Shkupit.
 
Doda e konsideroi atë ngjarje si një të tillë që na përket edhe neve në Shqipëri, pasi si ligjvënës të Parlamentit shqiptar e kanë për detyrë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë.
 
Ministri i Jashtëm, Bushati, gjatë raportimit të tij mbi zhvillimet në Maqedoni është shprehur se situata atje karakterizohet nga kriza politike.
 
Ai ka vijuar më tej duke u bërë thirrje forcave qeveritare të Shkupit që të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, e cila cilësohet si baza e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndëretnik në Maqedoni, madje ka theksuar se zbatimi i saj nuk është aspak bllokadë.
 
“Procesi i demokratizimit të shoqërisë në Maqedoni është një proces i brendshëm i tyre, ndaj dhe si i tillë nuk mund të ndërhyhet nga jashtë”, theksoi ministri Bushati, i cili më pas bëri të ditur se “Shqipëria është gjithnjë në mbështetje të qëndrueshmërisë politike e sociale në vendin fqinj”.