Botë

Ushtria izraelite sulmon Libanin, evakuime masive nga Bejruti

02.03.2026 11:33

Situata në lindjen e mesme po përshkallëzohet....

Izraeli ka ndërmarrë sulme të gjera ajrore në Liban për të goditur objektiva të Hezbollahu, njoftoi Forcat e Mbrojtjes së Izraelit. Sipas ushtrisë izraelite, operacioni po shtrihet “në të gjithë Libanin”, duke sinjalizuar një përshkallëzim të madh të konfliktit në rajon.
 
Autoritetet libaneze raportuan fillimisht të paktën 31 të vdekur dhe rreth 150 të plagosur nga sulmet, ndërsa mijëra qytetarë u detyruan të largohen nga kryeqyteti Bejrut dhe zonat përreth. Nga ana e tij, Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, deklaroi se kishte nisur “një breshëri raketash dhe një tufë dronësh” drejt Izraelit, duke e cilësuar sulmin si hakmarrje për vdekjen e udhëheqësit suprem iranian, Ali Hamenei, i cili sipas raportimeve u vra gjatë një operacioni të përbashkët SHBA-Izrael.
 
Shefi i Shtabit të IDF-së, gjenerali Eyal Zamir, deklaroi se Hezbollahu është plotësisht përgjegjës për përshkallëzimin. “Çdo armik që kërcënon sigurinë tonë do të paguajë një çmim të rëndë”, tha ai. Më pas, ushtria izraelite paralajmëroi se bastisjet në Liban do të intensifikohen gjatë ditës. 
 
Situata në kufirin Izrael-Liban mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për përmbajtje dhe shmangie të një lufte të gjerë rajonale.