Maqedoni

Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit: Detektimi i rreziqeve thelbësore për rezultate

02.03.2026 13:44

Identifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve janë thelbësore për arritjen e rezultateve më të mira në luftën kundër korrupsionit.

Sektorët e sigurisë dhe të mjedisit jetësor jo vetëm që renditen ndër më të ekspozuarit ndaj rreziqeve të korrupsionit, por kanë edhe rol të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Këtë e tha drejtori rajonal i Nismës Rajonale për Anti-Korrupsion, Albert Hani, në konferencën e mbajtur për këtë temë në Shkup. Sipas tij, identifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve janë thelbësore për arritjen e rezultateve më të mira në luftën kundër korrupsionit.
 
“Është një nder i veçantë të jem këtu, edhe pse Iniciativa Rajonale është me seli në Sarajevë ku unë si drejtor po mundohem që të sjelli sa më shumë aktivitete në luftën kundër korrupsionit. Është nder i veçantë që të bashkëpunoj me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe me Ministrinë e Drejtësisë, të cilat janë pjesë e bordit tonë drejtues. Jemi këtu për të zbatuar aktivitete që synojnë edukimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht përmes identifikimit të rreziqeve në sektorin e sigurisë dhe atë të mjedisit jetësor, dy fusha të cilat janë vlerësuar si më të cenueshme.”, u shpreh drejtori i Nismës Rajonale për anti-korrupsion, Albert Hani.
 
Ndërkohë, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit planifikon që deri në fund të marsit të miratojë Strategjinë e re Kombëtare për Luftën kundër Korrupsionit, në të cilën parashihet identifikimi i rreziqeve të korrupsionit në shtatë sektorë esencialë të shoqërisë.
 
“Paralelisht me aktivitetet e Nismës Rajonale, po punojmë edhe për miratimin e Strategjisë së re Kombëtare, për të cilën tashmë ndodhemi në fazën përfundimtare dhe presim që deri në fund të marsit të miratohet. Në këtë dokument kemi identifikuar rreziqet në shtatë sektorë esencialë, ndër të cilët është edhe mjedisi jetësor. Shpresojmë që kjo strategji të jetë më e zbatueshme, të forcojë mbikëqyrjen e zbatimit të saj dhe njëkohësisht të përcaktojë përgjegjësi të qarta në rast të moszbatimit.”, u shpreh kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçul.
 
Iniciative rajonale për anti-korrupsion më herë kishte punuar në vlerësimin e rreziqeve në fushën e kulturës dhe arsimit, ndërsa sektorët aktualë, siguria dhe mjedisi jetësor, janë veçanërisht të rëndësishëm për të përmirësuar gjendjen. Me qenë se korrupsioni mbetet një dukuri sistematike, jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë rajonin, nga KSHPK-së vlerësojnë në planin afatgjatë, integrimi i vendit në Bashkimin Evropian shihet si një mundësi reale për të forcuar mekanizmat institucionalë dhe për të siguruar rezultate më të qëndrueshme dhe më të mira në luftën kundër korrupsionit.
 
REXHEP QAMILI