Haxhiu: Të gjendet kompromis për presidentin, zgjedhjet e reja një kosto e pa nevojshme
Kur kanë ngelur edhe dy ditë afat për zgjedhjen e presidentit...

Kur kanë ngelur edhe dy ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit, kryetarja e kuvendit Albulena Haxhiu ka ftuar partitë politike për konsenzus në frymën kushtetuese.
Mos zgjedhja e presidentit do ta çonte Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat siç thotë Haxhiu do të ishte një kosto e pa nevojshme.
“Duhen diskutime të sinqerta, me kërkesa të arritshme, jo barikada të pa tejkalueshme. Si kryetare e Kuvendit mirëpresim takimet ndërmjet partive politike, me qëllim gjetjen e një kandidature që bashkon. Kemi shumë punë përpara. Qytetarët presin reforma por edhe stabilitet. Zvarritja e proceseve apo futja e vendit në një cikël të ri zgjedhor do të ishte një kosto e pa nevojshme politike apo edhe institucionale.” – tha Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Kurti: Partitë të kenë kandidatët e tyre për president
Në përpjekje për arritjen e një kompromisi për sigurimin e 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit, kryeministri Albin Kurti ka takuar liderët e PDK-së dhe LDK-së, por deri më tani nuk është rënë dakord për ndonjë emër konkret.
Kreu i PDK-së Bedri Hamza ka kërkuar që partia e tij ta propozojë presidentin. Ndërsa Kurti ka shprehur gatishmëri që ti mundësojë PDK-së të nxjerr kandidatin e saj, duke i siguruar 8 nënshkrimet që i mungojnë, por ka thënë se edhe Lëvizja Vetëvendosje do të ketë kandidatin e saj.
“Nëse subjektet pajtohen që ky të jetë rrugëtimi, pra garë e hapur që secili subjekt të ketë kandidatin, apo kandidaten për president, atëherë edhe ne pajtohemi me këtë qasje dhe LVV do ta ketë kandidatin e saj për president. Kurti tha se është i angazhuar maksimalisht që të tejkalohet ky proces, në mënyrë që Kosova ti shmangë zgjedhjet të reja” – deklaroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. (Gyltene Sinani, TVM2)
