Botë
Dita e tretë e sulmeve në Lindjen e Mesme, situata përshkallëzohet, mbi 500 të vrarë në Iran
02.03.2026 14:00
Lufta e SHBA-së dhe e Izraelit kundër Iranit ka hyrë në ditën e tretë....

Lufta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Izraelit kundër Iranit ka hyrë në ditën e tretë. Situata po përshkallëzohet. Irani vazhdoi të lëshojë raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe vendeve të Gjirit. Shpërthime të reja në Katar, Dubai dhe Emirate. Janë sulmuar edhe impiante nafte në Arabinë Saudite. Janë rrëzuar disa avionë amerikanë mbi Kuvajt. Më herët, dronët “Shahed” përfunduan në bazën ajrore britanike në bregun jugor të Qipros, autoritetet mbyllën shkollat dhe popullsia po evakuohet. Takimi i ministrave për çështje evropiane të vendeve anëtare, që duhej të mbahej sot dhe nesër në Qipro, është shtyrë.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë liderët evropianë dhe me liderë të shteteve të tjera lidhur me zhvillimin e ngjarjeve. Vendi ynë nuk merr pjesë në asnjë mënyrë dhe as nuk ka ndërmend të jetë pjesë e ndonjë operacioni ushtarak. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj rolit tonë humanitar që kemi pasur gjatë gjithë kohës, gjithmonë si pjesë e zgjidhjes dhe jo si pjesë e problemit.”, u shpreh presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides.
“Nuk mund të japim më shumë detaje në këtë moment, por është e qartë se do të ndërmerren të gjitha masat e sigurisë rreth bazës.”, u shpreh ministrja e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit bombarduan objektiva në Bejrut pasi Hezbollahu lëshoi raketa dhe dronë. Ka dhjetëra viktima dhe të plagosur. Garda Revolucionare iraniane njoftoi se ka sulmuar zyrën e kryeministrit Netanyahu.
“Ekziston vetëm një mundësi për të ndryshuar trajektoren, në vend që të jetojmë në terror dhe kaos të pafund të krijuar nga perandoria e së keqes nga Teherani.”, u shpreh presidenti i Izraelit, Isaac Herzog.
Uashingtoni pretendon se udhëheqja e re e mundshme në Iran hap derën për dialog. Shërbimet e sigurisë në Teheran e mohojnë këtë.
“I bëj thirrje të gjithë patriotëve iranianë që dëshirojnë lirinë ta shfrytëzojnë këtë moment, të jenë të guximshëm, të vendosur, heroikë dhe ta rimarrin vendin e tyre. Amerika është me ju. Ju dhashë një premtim dhe e mbajta atë. Pjesa tjetër do të varet nga ju; ne do të jemi këtu për të ndihmuar.”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Pas vrasjes së Ajatollahut Khamenei, Republika Islamike zgjodhi një këshill drejtues prej tre anëtarësh që do të qeverisë vendin derisa të zgjidhet një udhëheqës i ri suprem.
“Kemi humbur disa komandantë. Ky është fakt dhe emrat janë publikuar tashmë. Por një fakt tjetër është se asgjë nuk ka ndryshuar në aftësinë tonë ushtarake.”, u shpreh ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike paralajmëroi për një incident bërthamor në Lindjen e Mesme, megjithëse për momentin nuk sheh asnjë indikacion se sulmet e fundit në Iran kanë dëmtuar impiante bërthamore.
Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane kumtoi se të paktën 555 persona janë vrarë si pasojë e sulmeve të përbashkëta izraelito-amerikane.
Organizata humanitare kumtoi se më shumë se 100.000 shpëtimtarë u vendosën në të gjithë vendin dhe se mbi 130 rajone ishin prekur nga lufta.
ARMEND MURSELI
