Maqedoni

KSHPK pritet të vendosë për rastin e Cveta Ristovskës

02.03.2026 14:14

Çuçul njofton se së shpejti do të miratohen vendime për lëndët e Cveta Ristovskës...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit po punon mbi lëndët e ish-anëtares së këtij institucioni, Cveta Ristovska, e cila dha dorëheqjen nga posti pasi u dyshua se ka fsheh pasurinë e saj. Kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçul, njofton se së shpejti do të miratohen vendime për këto lëndë.
 
“Zonja Cveta Ristovska nuk ka qenë e përfshirë, pasi që nga fillimi e kemi përjashtuar. Ndërkohë, në KSHPK po punohet për trajtimin e të gjitha këtyre lëndëve dhe së shpejti do t’i referojmë. Vendimet, siç e dini, merren në seanca publike, kështu që do të jeni të informuar.”, u shpreh kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçul.
 
Ndërkohë, partia “E Majta” dorëzoi kallëzim penal ndaj ish-anëtares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Cveta Ristovska, pasi vlerësojnë se për këtë rast nuk është e mjaftueshme vetëm dorëheqja e saj, por ajo duhet të përgjigjet edhe penalisht.
 
“Vetëm dorëheqja nga posti i anëtares së KSHPK-së nuk është e mjaftueshme. Për fshehje të vetëdijshme të pasurisë, Cveta Ristovska patjetër duhet të mbajë përgjegjësi. Njëkohësisht, duhet të bëhet revizion i të gjitha lëndëve që ajo i ka trajtuar si anëtare e komprometuar dhe t’u jepet fund, njëherë e përgjithmonë, praktikave të mbrojtjes së korrupsionit në eshalonët më të larta të qeverisë.”, Milica Davçeva nga “E majta”.
 
Ndërkohë, nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit bëjnë të ditur se lëndët që i ka pasur në trajtim Cveta Ristovska do t’i rishpërndahen anëtarit të ri, menjëherë pas zgjedhjes së tij.
 
REXHEP QAMILI