Lufta në Lindjen e Mesme, mbi 400 shtetas të RMV-së presin evakuim
Mbi 400 shtetas të RMV-së po presin evakuim nga Lindja e Mesme...

Mbi 400 shtetas të Maqedonisë së Veriut po presin evakuim nga Lindja e Mesme për shkak të përshkallëzimit të konfliktit ushtarak mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Svetlana Stevkovska, qytetare nga Maqedonia, ndodhet aktualisht në Dubai. Pas sulmeve me raketa iraniane që goditën Emiratet e Bashkuara Arabe, ajo rrëfen për shpërthimet që goditën këtë destinacion ekskluziv.
Megjithatë, ajo thekson se jeta po rikthehet ngadalë në normalitet dhe se autoritetet u kanë dhënë qytetarëve garanci se nuk ka vend për panik.
“Ditëve të fundit, Irani ka lëshuar raketa drejt Emirateve të Bashkuara Arabe. Siç dihet, shumica u kapën me sukses, ndërsa disa ranë në tokë dhe shkaktuan zjarre. Janë raportuar incidente në zonën e aeroportit të Dubai-t. Shërbimet kompetente kanë ndërhyrë dhe situata aktualisht është nën kontroll.” – tha Svetlana Stevkovska, qytetare e Maqedonisë së Veriut në Dubai.
Sipas informacioneve më të fundit, po përpilohet një plan për nxjerrjen e sigurtë të shtetasve të RMV-së nga Irani, ndërsa për ata që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, aktualisht nuk ka kushte të sigurta për evakuim.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme theksojnë se me të gjithë personat e raportuar mbahet komunikim i rregullt dhe i vazhdueshëm, gjatë të cilit po ndërmerren aktivitete përgatitore për ndihmë të mundshme dhe evakuim të sigurt të tyre, varësisht nga zhvillimi i situatës.
“Paralelisht, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore po marrin të gjitha masat e nevojshme për të përgatitur dhe zbatuar në mënyrë të sigurt evakuimin e qytetarëve të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ta bërë këtë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme është në komunikim të vazhdueshëm me vendet mike dhe partnerët ndërkombëtarë me qëllim të zbatimit të koordinuar dhe të suksesshëm të procedurës,” - theksohet në kumtesën e MPJ.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, përmes linjës telefonike dhe përmes pëfaqësive diplomatike dhe konsullore, siç theksohet në kumtesë, mbetet plotësisht në dispozicion të qytetarëve. Edhe një herë, u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve tanë të cilët ndodhen në vendet e rajonit që të zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme udhëzimet dhe direktivat e autoriteteve lokale kompetente të sigurisë. (Armend Murseli, TVM2)
