Maqedoni
Dy vrasje të konfirmuara, hetim për vrasës të dyshuar serial nga Kumanova
02.03.2026 14:58
Autoritetet po hetojnë një rast të rëndë penal me dyshime për vrasësin serial nga Kumanova...

Pas vërtetimit të vrasjes me mbytje të viktimës së parë nga 25-vjeçari Trajko Bojkovski, nga fshati Mllatino i Kumanovës, Prokuroria Publike në Kumanovë ka zgjeruar hetimet nën dyshimin për një tjetër krim mizor. Autoritetet po hetojnë një rast të rëndë penal me dyshime për vrasësin serial nga Kumanova, i cili sipas hetimeve paraprake ka shënjestruar kryesisht gra që jetonin të vetme.
Deri në këtë fazë, Prokuroria Publike ka konfirmuar dy vrasje, për të cilat si i dyshuar është 25-vjeçari. Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit, ndërsa hetimi po zhvillohet në disa drejtime. Prokuroria ka urdhëruar zhvarrimin e një viktime tjetër të mundshme, me qëllim verifikimin nëse vdekja e saj ka qenë pasojë e një vepre penale. Sipas prokurorëve, ekziston mundësia që të zhvarroset edhe një rast tjetër i dyshimtë, për të cilin ka indicie se mund të lidhet me të njëjtin person.
“Prokuroria Publike vazhdon të ndërmarrë masa dhe aktivitete për mbledhjen e provave, me qëllim që të hetohen dhe sqarohen të gjitha rrethanat e rastit. E njoftojmë opinionin se në ditët në vijim do të realizojmë zhvarrimin edhe të një viktime tjetër, për të cilën dyshojmë se mund të jetë viktimë e një vepre penale.”, u shpreh prokurori Lubomir Lape.
Hetuesit po analizojnë dokumentacionin policor dhe mjeko-ligjor për raste të vdekjeve të dyshimta, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që me avancimin e hetimeve të identifikohen viktima të tjera, si dhe të zgjerohet periudha kohore gjatë së cilës dyshohet se janë kryer krimet.
Prokuroria thekson se hetimi ndodhet në fazë intensive dhe se çdo rast po trajtohet veçmas, me ekspertiza të detajuara mjeko-ligjore dhe analiza shtesë, për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
ARMEND MURSELI
