Ekonomi
Këshilli Social Ekonomik: Paga minimale do të rritet për 1667 denarë
02.03.2026 15:22
Paga minimale do të rritet aq sa është e paraparë me ligj, përkatësisht për 1.667 denarë, dhe tani do të jetë 26.046 denarë...

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, pas mbledhjes së Këshillit Social-Ekonomik, njoftoi se paga minimale do të rritet aq sa është e paraparë me ligj, përkatësisht për 1.667 denarë, dhe tani do të jetë 26.046 denarë pagë neto ose 38.507 denarë bruto. Sipas të dhënave të publikuara për vitin e kaluar, Durmishi tha se paga mesatare neto e paguar shënon rritje prej 9,6 për qind, ndërsa indeksi i kostos së jetesës është 4,1 për qind. Duke llogaritur sipas formulës ligjore, ai theksoi se kjo nënkupton 4,8 për qind nga rritja e pagave dhe 2,05 për qind nga rritja e kostos së jetesës, përkatësisht rritja e përgjithshme e harmonizimit të pagës minimale është 6,86 për qind.
“Ky harmonizim ligjor është miratuar më herët, ku janë pajtuar të gjitha sindikatat, punëdhënësit dhe Qeveria. Kemi një formulë ligjore që është në fuqi. Nuk ishte në rend dite të diskutohej për formulën apo për zgjidhjet ligjore, nëse duhet të jetë kjo apo jo. Vetëm njoftuam për pagën minimale pas të dhënave që i morëm nga Enti Shtetëror i Statistikës. Të gjitha sindikatat që ishin të pranishme u pajtuan me këtë njoftim.”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se paga minimale e rritur do të fillojë të paguhet me pagën e marsit. Ai theksoi se në periudhën e kaluar marrëdhëniet me mbi 95% të sindikatave të degëve janë rregulluar përmes Marrëveshjeve Kolektive.
“Pres që në seancën e radhës të Qeverisë, nesër ose më së voni gjatë ditës së nesërme, këtë çështje ta miratojmë edhe si Qeveri dhe pastaj, në pajtueshmëri me rritjen e pagës minimale, nga muaji prill për pagën e muajit mars të fillojë të paguhet e njëjta.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, e pakënaqur nga kjo rritje, në shenjë revolte e lëshoi mbledhjen e Këshillit Social-Ekonomik. Ata këmbëngulin në pagë minimale prej 600 eurosh dhe 6000 denarë për çdo të punësuar. Paralajmëruan protesta, duke kërkuar mbështetje masive nga punëtorët.
“Këtë vit nuk mund të lejojmë që, si përfaqësues të punëtorëve nga të cilët kërkojmë protesta dhe greva, të legjitimojmë diçka që është në dëm të punëtorëve. Për këtë qëllim nuk japim pajtueshmëri dhe as nuk bëjmë kuorum në seancën e Këshillit Social-Ekonomik. Në mes të muajit mars shihemi në rrugë. Sa më shumë të vini, aq më shumë do të fitojmë.”, u shpreh Slobodan Trandafilov nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Qeveria duhet me normativë ose me afat të caktuar kohor të rregullojë çështjen e punëdhënësve sa i përket marrëveshjes për pagën minimale. Negociatat në këtë mënyrë mund të zgjasin pa fund.
“Të ketë sindikatë dhe të dakordohen punëtorët dhe punëdhënësit se sa do të jetë paga minimale. Qeveria duhet të japë një afat, pas së cilit të gjejë zgjidhje, sepse kjo rritje minimale, besoni, nuk na çon askund. Duhet të ulemi e të bisedojmë. Ky inat ndaj njëri-tjetrit nuk jep zgjidhje, vetëm punëtorët e pësojnë. Unë them se në kompanitë private ka kapital.”, u shpreh Marjan Risteski nga Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë.
Në mbledhjen e Këshillit Social-Ekonomik është biseduar edhe për shportën mesatare të shpenzimeve të Qeverisë. Sipas Durmishit, ajo është 13% më e vogël se ajo që e shpalos Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Sipas tij, sindikatat kanë përfshirë shumë shpenzime që nuk përfshihen në shportën zyrtare. Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë nuk i konsideron shqetësuese vlerat e paraqitura.
“Organizata e Punëdhënësve nuk e sheh si shumë shqetësuese as shportën që e paraqet Sindikata, as atë të Qeverisë. Sindikata e shfrytëzon shportën si mekanizëm për kërkesat e saj dhe kjo është e drejtë e tyre, megjithatë sa është e qëndrueshme është e diskutueshme. Shporta e propozuar nga Qeveria është institucionale.”, u shpreh Vlladanka Trajkovska nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë.
Paga minimale në vitin 2025 ishte 24.379 denarë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
