Rajon

Lezha përkujton 582-vjetorin e Besëlidhjes së Kuvendit të Lezhës

02.03.2026 16:11

Lezha përkujtoi 582-vjetorin e Besëlidhjes, ditën kur princat shqiptarë u bashkuan për të luftuar kundër Perandorisë Osmane....

Lezha përkujtoi këtë 2 mars 582-vjetorin e Besëlidhjes, ditën kur princat shqiptarë u bashkuan për të luftuar kundër Perandorisë Osmane. Kjo datë historike bëri bashkë autoritete nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe një delegacion të arbëreshëve nga Italia.
 
Veprimtaritë nisën me vendosjen e kurorave me lule dhe homazhe pranë Obeliskut të Besëlidhjes.
 
Më pas, të pranishmit vijuan me një ecje simbolike në gjurmët e historisë drejt sheshit “Gjergj Kastrioti”, në nderim të vizionit që lindi në këtë qytet më 2 mars 1444.
 
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, u shpreh se Besëlidhja mbetet një mesazh reflektimi dhe përgjegjësie për unitet.
 
“Kuvendi i Lezhës na mëson se në momente vendimtare duhen qartësi dhe guxim, vendime të drejta, prioritete të qarta. Sot nuk është thjesht kujtim, por mesazh reflektimi dhe përgjegjësie, që kërkon të mos përçahemi për interesa të vogla, por ta kthejmë historinë në përkushtim për komunitetin.”, u shpreh kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.
 
Aktiviteti u përshëndet edhe nga përfaqësues të Qeverisë shqiptare dhe autoritete nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
 
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, e cilësoi Besëlidhjen si një akt të lartë përgjegjësie kombëtare dhe theksoi se misioni historik i Shqipërisë mbetet përmbyllja e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
 
LULJETA NDOKA