Maqedoni

MPJ e RMV-së: 473 shtetas duan të largohen nga lindja e mesme

03.03.2026 13:10

Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme shtetasit e RMV-së që ndodhen në zonat e rrezikshme kërkojnë ndihmën e autoriteteve për tu evakuuar...

Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme shtetasit e Maqedonisë së Veriut që ndodhen në zonat e rrezikshme kërkojnë ndihmën e autoriteteve për tu evakuuar. Që nga fillimi i konfliktit, 473 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë kontaktuar përfaqësitë diplomatiko-konsullore në Tel Aviv, Doha dhe Abu Dabi. Prej tyre, 19 janë paraqitur nga Izraeli, 106 nga Katari, ndërsa 348 i janë drejtuar përfaqësisë diplomatike konsulare në Abu Dabi; prej tyre 18 persona nga Kuvajti dhe 12 nga Bahreini.
 
Për momentin nuk ka mundësi për evakuim nga Emiratet dhe Katari, ndërsa po shqyrtohen alternativa të mundshme për nxjerrjen e sigurt të shtetasve maqedonas nga Tel Avivi, informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut. 
 
“Sipas informacioneve të marra nga autoritetet kompetente, aktualisht ende nuk rekomandohet evakuimi me rrugë tokësore për qytetarët që ndodhen në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Evakuimi do të nisë në momentin e parë të sigurt, ndërsa tashmë po shqyrtohen mundësitë për nxjerrjen e tyre të sigurt sapo të krijohen kushtet e përshtatshme”, thuhet në njoftimin e MPJ-së. 
 
MPJ: Mos udhëtoni pa nevojë drejtë lindjes së mesme
 
Kjo minsitri u bën apel bashkatdhetarëve që të ndjekin rregullisht paralajmërimet dhe udhëzimet e organeve kompetente lokale, ndërsa mund të kontaktojnë edhe shtabin e krizës pranë ministrisë si dhe përfaqësitë diplomatike konsulare në numrat e telefonit që janë në dispozicion. 
 
“Duke pasur parasysh përpjekjet e dukshme të Iranit për të targetuar, përveç Izraelit, edhe disa shtete arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin, Bahreinin, Arabinë Saudite, Libanin dhe Irakun, si dhe bazën ushtarake britanike në territorin e Republikës së Qipros, Ministria edhe një herë u bën apel të gjithë shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që të përmbahen nga udhëtimet e panevojshme në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme”, thuhet në njoftimin e minsitrisë së Punëve të Jashtme.
 
ARLINDA BAFTIU