Ekonomi

Mbyllet ngushtica e Hormuzit, rritet çmimi i naftës në mbi 80 dollarë për fuçi

03.03.2026 14:02

Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin ka bërë që Irani të mbyll Ngushticën e Hormuzit

Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin ka bërë që Irani të mbyll Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës. Të paktën pesë cisterna janë dëmtuar, dy persona janë vrarë dhe rreth 150 anije kanë mbetur të bllokuara rreth ngushticës së Hormuzit, e cila ndan Iranin dhe Omanin. Kjo ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës në mbi 79.40 dollarë për fuçi, ndërsa paralajmërohet se nëse konflikti vazhdon çmimi mund të rritet në mbi 100 dollarë për fuçi. 
 
Dimitrieska Koçoska: Po e ndjekim situatën me kujdes
 
Por si mund të ndikojë kjo në ekonominë e Maqedonisë së Veriut dhe rritjen e çmimeve? Autoritetet thonë se po e ndjekin me vëmendje situatën.   
 
“E ndjekim gjendjen jo vetëm ne si ministri që jemi kompetentë për akcizat dhe TVSH-në por edhe ministritë tjera, ministria e energjetikës e cila është drejtë për drejtë kompetente për këtë problematikë si dhe ministria e ekonomisë e cila njëkohësisht është në komunikim me sektorin privat. Ndiqet në bazë ditore, do të shohim se si do të jetë gjendja, është paraparë me ligj se në cilat kushte, kur mund të ketë ndryshime të caktuara, kështu që do ta shohim gjendjen dhe në përputhje me atë do të reagojmë.”, u shpreh ministrja e Financave e RMV-së, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
  
Shumica e naftës së papërpunuar të transportuar përmes Ngushticës së Hormuzit shkon në Azi, me Kinën, Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut që përbëjnë gati 70 përqind të dërgesave, sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë. Edhe pse SHBA-të nuk varen më nga nafta e Lindjes së Mesme ekspertët kanë vlerësuar se edhe ato nuk janë imune nga kjo situatë. 
 
Përveç naftës, produktet energjetike që përballen me presione furnizimi përfshijnë karburantin e avionëve dhe gazin natyror të lëngshëm. Rreth 30 përqind e furnizimit të Evropës me karburant avionësh buron nga ose kalon tranzit përmes ngushticës së Hormuzit, ndërsa një e pesta e furnizimit global kalon përmes rrugës ujore. Të detyruara që të ridrejtojnë anijet drejtë Kepit të Shpresës së Mirë, pranë jugut të Afrikës, kompanitë po përballen me kohë më të gjata transporti dhe kosto shtesë.
 
FITORE NAGAVCI