VMRO-DPMNE: Diplomacia e LSDM-së ishte servile
VMRO kritikon LSDM-në për “diplomacinë servile”...

VMRO kritikon LSDM-në për “diplomacinë servile” dhe lidhjet me Rusinë duke theksuar se interesat e përputhura gjeopolitike të aktorëve të mëdhenj nuk mund të quhen politikë shtetërore e LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE akuzojnë LSDM-në, për shitje të interesave shtetërore dhe kombëtare, duke poshtëruar Maqedoninë në arenën ndërkombëtare.
Sipas tyre dëshmi për këtë është skandali me dhënien e shtetësisë për shtetasin rus Aleksandar Onishçenko, i dënuar për korrupsion dhe pastrim parash në Ukrainë.
“LSDM e Venko Filipçes dhe Zoran Zaevit i dha shtetësi personit të Putinit, Aleksandar Onishçenko, dhe i mundësoi të zhvillojë biznese në Maqedoni. Onishçenko ka qenë anëtar i partisë pro-ruse të presidentit atëherësh Viktor Janukoviç, deputet në Ukrainë, dhe është një person i dënuar me 15 vjet burg për pastrim parash dhe korrupsion. Kur Onishçenko ishte i kërkuar me urdhër ndërkombëtar nga vendi i tij, Ukraina, kur asnjë vend nuk e pranonte dhe nuk i jepte qëndrim, qeveria jonë e udhëhequr nga SDS-i e strehoi dhe i dha shtetësi.” – tha Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Këto qëndrime poshtërojnë RMV-në dhe NATO-n
Nga ana tjetër partia opozitare LSDM sfidon pushtetin që kritikat dhe akuzat për servilizëm dhe tradhëti t'ia thonë sekretarit të përgjithëm të NATO-s që ndodhet për vizitë në RMV. Me këto qëndrime VMRO-DPMNE po e ofendon Maqedoninë dhe NATO-n, në vizitën e parë të sekretarit Gjeneral, Mark Rute.
"Çfarë thotë VMRO pikërisht sot, në vizitën e parë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Maqedoni? Sipas VMRO-s, në NATO jemi pranuar sepse “dikush ashtu ka dashur”, ndërsa LSDM ka qenë servile. A është anëtarësimi në NATO politikë tradhtare? A ka qenë kjo shitje e interesave shtetërore? Le t’ia thonë këtë sot sekretarit të përgjithshëm Mark Rutte: se sipas VMRO-s jemi pranuar në NATO sepse dikush ashtu ka dashur dhe se anëtarësimi në NATO është tradhti. Le t’ia përcjellin këtë kur të takohen me të. Së pari Gordana Siljanovska si “komandante”, pastaj Mickoski, “Maduroja maqedonase”.
Nga partia opozitare LSDM shtojnë se VMRO-DPMNE po e vazhdon izolimin e shtetit për pasurim personal. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
