Rasti tragjik në Karposh, autoritetet ndalojnë një person
MPB dhe Prokuroia vazhdojnë hetimet...

MPB dhe Prokuroia vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit tragjik në Karposh, në të cilin të hënën një nënë dhe fëmija i saj humbën jetën pasi ranë nga një ndërtesë shumëkatëshe.
Një person është ndaluar në stacion policor ku me urdhër të prokurorit publik, po ndërmerren veprime për hetimin e përgjegjësisë së mundshme penale.
Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është kryer edhe bastisje e detajuar në banesën ku humbën jetën nëna dhe fëmija, të cilët, sipas prokurorisë, në momentin tragjik ndodheshin vetëm aty.
"Sipas njohurive fillestare, në kohën e incidentit, e ndjera dhe vajza e mitur kanë qenë vetëm në banesë, të mbyllur nga ana e brendshme. Sot, me urdhër të prokurorit publik, po merren në pyetje disa persona që kanë njohuri të caktuara, po nxirren të dhëna nga telefonat celularë dhe po sigurohen pamje nga kamerat e mbikëqyrjes dhe pamje të tjera nga disa vende. Dje u urdhërua edhe autopsia e të ndjerëve", - bëjnë të ditur nga Prokuroria themelore.
Misnitri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se personi i ndaluar është bashkëshorti i së ndjerës, Stojanço Jovanovski, i cili në të kaluarën ka pasur sjellje kriminale.
“Me urdhër të prokurorit publik, personi Stojanço Jovanovski është privuar nga liria me dyshimin se ka kryer disa vepra penale. Ai ndodhet në stacion policor, ku po merret në pyetje dhe po kryhet dokumentim i tërësishëm i rastit. Kundrejt tij do të dorëzohet kallëzim penal përkatës me procedurë të përshpejtuar. Deri më tani, ndaj tij janë ngritur 10 kallëzime penale për vepra nga fusha e kriminalitetit të dhunshëm, delikteve pasurore dhe tregtisë së paligjshme me drogë” – deklaroi Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Toshkovski njëherit ka sqaruar se e ndjera dhe bashkëshorti i saj kanë pasur më herët mosmarrëveshje martesore dhe disa herë në të kaluarën është kërkuar ndërhyrje policore. Rasti i fundit është raportuar vetëm disa orë para ngjarjes tragjike.
“Të njëjtën ditë, në ora 12:05, në MPB ka arritur një denoncim lidhur me një mosmarrëveshje ndërmjet bashkëshortëve. Pas këtij denoncimi, zyrtarë policorë janë dërguar në vendngjarje dhe në ora 12:19 kanë arritur në lokacionin e theksuar. Në vendngjarje është zhvilluar bisedë me Ivanën, e cila ka deklaruar se nuk ka pasur kontakt fizik ndërmjet saj dhe bashkëshortit të saj, se bëhej fjalë për një keqkuptim të cilin e kanë zgjidhur në mënyrë paqësore dhe se nuk kërkon ndërhyrje policore, as inicim të çfarëdo procedure. Ajo gjithashtu ka theksuar se raportet martesore po i zgjidh përmes procedurës së divorcit dhe se ato do t’i rregullojë përmes rrugës institucionale. Për të gjitha këto është përpiluar shënim zyrtar, i cili është nënshkruar edhe nga ana e tashmë të ndjerës. Pas këtij veprimi, ajo është larguar drejt banesës ku më vonë ka ndodhur përfundimi tragjik.” – u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Institucionet përkatëse kanë kërkuar gjithashtu raport dhe informacion të hollësishëm nga Qendra për Punë Sociale, përfshirë të gjitha raportet dhe ankesat e mëparshme eventuale nga pala e dëmtuar. (Rexhep Qamili, TVM2)
