Rajon

Kurti takoi sërish Abdixhikun, ende pa marrëveshje për presidentin

03.03.2026 16:10

Kurti vazhdon përpjekjet për arritjen e kompromisit ndërpartiak për zgjedhjen e presidentit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon përpjekjet për arritjen e kompromisit ndërpartiak për zgjedhjen e presidentit. Por pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se takimi ka qenë konstruktiv, por nuk është arritur zgjidhje.
 
“Takimi shkojë në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do të ju njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet mirëpo do të ju njoftojmë së shpejti.”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Nagafci ende nuk ka nisur grumbullimi i nënshkrimeve
 
Megjith ambiciet e paralajmëruara nga presidentja aktuale Vjosa Osmani, apo ish ministri Arsi Bajrami, tani për tani askush nuk ka filluar grumbullimin e 30 nënshkrimeve të nevojshme të deputetëve për kandidim. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nënshkrimet për kandidatin për president do të mblidhen në momentin kur mazhoranca të jetë e gatshme të procedojë tutje, duke theksuar se aktualisht prioritet mbetet sigurimi i 80 votave në Kuvend dhe shmangia e zgjedhjeve të reja.
 
“Puna është intensive gjatë gjithë këtyre ditëve dhe në këtë fazë nënshkrimet do të mblidhen në momentin që ne jemi të gatshëm të procedojmë tutje. Deputetët tanë janë të gjithë të pranishëm edhe nuk do të jetë problem mbledhja e nënshkrimeve, por unë shpresoj që do të arrijmë një konsensus edhe të gjithë deputetët do të kryejnë obligimin e tyre, do të qëndrojnë në sallë edhe do të shmangim edhe një palë zgjedhje të reja.”, u shpreh shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
 
LDK president konsenzual ose me marrëveshje politike
 
Se zgjedhjet janë të pa nevojshme theksojnë edhe nga LDK. Deputeti i kësaj parie Besian Mustafa, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, tha se LDK është e gatshme të kontribuojë në dy drejtime për zgjedhjen e presidentit apo presidentes.
 
“LDK jemi të gatshëm të kontribuojmë në drejtim të zgjedhjes së presidentit në dy drejtime. Është një konsensus i gjerë politike, një kandidat që vjen si pajtueshmëri nga gjitha paritë politike dhe e dytat është një marrëveshje politike klasike në mes dy partive, në këtë rast pushtetit dhe LDK-së.”, u shpreh Besian Mustafa, deputet i LDK-së.
 
Partia tjetër opozitare PDK mban qëndrimin se asaj duhet ti takojë propozimi për presidentin e ri të shtetit. 
 
GYLTENE SINANI