Maqedoni
Së bashku kundër korrupsionit: Krimi ekologjik rrallë ndiqet penalisht
04.03.2026 13:33
Krimi ekologjik është ndër më të përhapurit dhe më të kushtueshmit në botë...

Krimi ekologjik është ndër më të përhapurit dhe më të kushtueshmit në botë, por njëkohësisht edhe ndër më pak të ndjekurit penalisht. Këtë e tha drejtori i Sekretariatit të Nismës Rajonale kundër Korrupsionit, Albert Hani, para fillimit të trajnimit për vlerësimin e rreziqeve nga korrupsioni në këtë fushë, në Shkup. Sipas tij, krimi ekologjik është më i theksuar në Evropën Juglindore, bazuar në statistikat e “Eurojust”, të cilat tregojnë se deri më tani janë proceduar vetëm 57 raste që lidhen me krimin ndaj mjedisit jetësor. Andaj, tha Hani, është e nevojshme të ndërtohet dhe përforcohet besimi ndaj institucioneve që kanë për detyrë luftimin e korrupsionit.
“Ne si institucion kemi marrë mandatin për të ndërtuar besimin ndaj institucioneve në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore, përmes forcimit të kapaciteteve në fushën e luftës kundër korrupsionit. Ky besim është i një rëndësie të veçantë për ne, sepse mandati ynë nuk është vetëm të luftojmë korrupsionin, por edhe të krijojmë kulturë integriteti si dhe të ndërtojmë vlera të reja që do të kujdesen për shoqërinë tonë. Është me rëndësi të theksohet se, përveç sektorit të sigurisë, po zhvillohen trajnime për detektimin e rreziqeve nga korrupsioni edhe në sektorin e mbrojtjes së mjedisit jetësor, pasi që të dy sektorët janë identifikuar nga ana jonë si më të ndjeshmit dhe si sektorë që meritojnë vëmendje të veçantë.”, u shpreh drejtori i sekretariatit të Nismës Rajonale kundër Korrupsionit, Albert Hani.
Ambasadori austriak në vend, Martin Pamer, theksoi se Austria mbështet fuqishëm përpjekjet e përfaqësuesve të vendit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian. Ai gjithashtu bëri thirrje për zbatim konsekuent të legjislacionit kundër korrupsionit dhe për ndërtimin e një kulture integriteti, duke theksuar se të gjithë duhet të kontribuojnë njësoj në parandalimin e korrupsionit në vend.
“Vendi ynë e mbështet fuqishëm Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian dhe në të gjitha përpjekjet në këtë drejtim. U bëjë thirrje të gjithëve, duke filluar nga përfaqësuesit më të lartë politikë deri te qytetarët, të jenë të përgjegjshëm, konsekuentë dhe të ndërgjegjshëm. Ligjet më të mira dhe rregulloret më të mira nuk kanë vlerë nëse nuk zbatohen, nuk respektohen dhe nuk ndiqen në baza të përditshme.”, u shpreh ambasadori austriak në RMV, Martin Pamer.
Ky trajnim është i treti me radhë në serinë e trajnimeve kombëtare të organizuara brenda projektit “Evropa Juglindore, së bashku kundër korrupsionit”. Projekti financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim, ndërsa implementohet nga Sekretariati i Nismës Rajonale Kundër Korrupsionit dhe Zyrës së OKB për Drogë dhe Krim.
REXHEP QAMILI
