Vulin me deklaratë kërcënuese ndaj Kurtit, Sveçla: Nuk frikësohemi as nga Vulin, e as nga Vuçiç
Ish-drejtori i Shërbimit Inteligjent Serb (BIA), Aleksandër Vulin...

Ish-drejtori i Shërbimit Inteligjent Serb (BIA), Aleksandër Vulin, ka kërcënuar Kryemsinitrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zyrtarë të tjerë, se Serbia mund të veprojë në Kosovë, ashtu siç ka vepruar shërbimi inteligjent izraelit, Mossadi në Iran, me likuidimin e disa zyrtarëve.
Sipas tij shërbimi serb duhet të ketë plan konkret për sjelljen ndaj individëve të cilët, sipas tij, janë bartës të politikës anti serbe në Kosovë, përfshirë këtu edhe kryemsinitrin, Kurti.
“Shteti serb patjetër të veprojë. Pas kësaj unë do të kërkoja nga shërbimet tona të bëjnë plan të qartë se si do të sillemi ndaj individëve me emër dhe mbiemër, të cilët janë bartës të politikës anti serbe. Ata le të mendojnë se çfarë do t’u ndodhë. Nëse mundet Izraeli, mundet Mosadi, çfarë ka shërbimi serb. Pse nuk mundemi ne? A nuk e kemi bërë atë asnjëherë? E dimë ne se si bëhet ajo. Ne nuk na frikësohet askush. Kurti nuk ka problem me atë që të mos e respektojë cilën do marrëveshje dhe nuk frikësohet se do të dënohet për atë. Nuk frikësohet se do t’i ndodh asgjë, as ai, as të tjerët rreth tij.” – u shpreh Ish Drejtori i Shërbimit Inteligjent serb, Aleksandar Vulin.
Ndaj këtyre kërcënimeve të Vulinit ka reaguar Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se kjo deklaratë paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit Albin Kurti.
“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan”, - thekson Sveçla.
Ai njëherit thekson se Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor.
“Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane. Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë”, thekson Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, duke shtuar se as Vulin, e as Vuçiç, nuk mund ta frikësojnë Kosovën dhe udhëheqësit e saj shtetëror. (Gyltene Sinani, TVM2)
