Botë

Përshkallëzon situata në Lindjen e Mesme, Teherani: S’kemi përdorur ende armët më të avancuara

04.03.2026 14:14

Operacionet amerikano-izraelite po përshkallëzohen....

Operacionet amerikano-izraelite po përshkallëzohen. Teherani po përgjigjet ashpër ndaj valës së vazhdueshme të sulmeve nga Izraeli dhe SHBA-ja. 40 raketa pretendon të ketë lëshuar vetëm mëngjesin e sotëm kundër objektivave amerikane dhe izraelite në rajon. Shpërthime pranë konsullatës amerikane në Dubai, goditet një bazë amerikane në Katar, sulmohet një stacion diplomatik amerikan në Irak, ndërsa avionë britanikë kapin dronë iranianë mbi vendet e Gjirit. 
 
“Pak orë më parë ka filluar vala e 17-të e operacionit True Promise 4 me lëshimin e mbi 40 raketave nga Forcat Hapësinore të IRGC-së drejt objektivave sioniste dhe amerikane”, raportoi agjencia e lajmeve Fars, duke cituar një deklaratë të Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC).
 
Irani thotë se është i gatshëm për një konflikt afatgjatë, se nuk ka ndërmend të negociojë me SHBA-në dhe se ende nuk ka përdorur armët e tij më të avancuara, duke i dërguar mesazh Uashingtonit se lufta nuk do të përfundojë aq shpejt sa shpresojnë ata.
 
Rubio: Po çmontojnë regjimin terrorist
 
Nga ana tjetër Uashingtoni pretendon se Irani është pothuajse i shkatërruar dhe se më e keqja ende po vjen.
 
“Dy fuqitë më të mëdha në botë po çmontojnë regjimin terrorist, po e shkatërrojnë dhe po ia heqin mundësinë për të kërcënuar apo për t’u fshehur pas një zone imuniteti që u mundëson të zhvillojnë ambiciet e tyre bërthamore.”, u shpreh sekretari i shtetit i SHBA-së, Marco Ruboi.
 
Defrin: Veprojmë si në mbrojtje, në ofensivë
 
“Ata sulmojnë Riadin, Abu Dabin, Bahreinin, Katarin, civilët, qytetarët e vendeve arabe... Kjo tregon se Irani është një regjim terrori. Nuk jemi të befasuar nga asnjë armë e re në duart e tyre dhe do të vazhdojmë të veprojmë si në mbrojtje ashtu edhe në ofensivë.”, u shpreh zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin.
 
Al-Ansari: Sovraniteti ynë është në shënjestër
 
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, thotë se nuk ka prova që Irani po ndërton një bombë bërthamore, por ka arsye për shqetësim. Katari paralajmëroi se pas sulmeve iraniane mbi territorin e tij “janë kaluar të gjitha vijat e kuqe”.
 
“Sulmet janë të vazhdueshme. Kundër infrastrukturës, kundër zonave tona të banimit. Prandaj, nuk supozoj se ka më vija të kuqe për t’u kaluar kur sovraniteti ynë është në shënjestër në këtë mënyrë.”, u shpreh zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari.
 
OKB kërkon rikthim në tryezën e negociatave
 
Ndërkohë vazhdojnë përplasjet ajrore mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban. OKB e shqetësuar për përhapjen e konfliktit në rajon.
 
“Zgjidhja për atë që po ndodh nuk janë më shumë ushtarë apo armë, por ndalimi dhe rikthimi në tryezën e negociatave.”, u shpreh zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric.
 
SHBA-ja ndërpreu të gjitha lidhjet diplomatike me Spanjën për shkak të qëndrimeve mbi operacionet iraniane, ndërsa kryeministri Sançez i bëri thirrje Trumpit të mos luajë ruletë ruse. Franca zhvendosi një aeroplanmbajtëse bërthamore nga Baltiku në Mesdhe pas sulmeve në Qipro, ndërkohë që Evropa dhe SHBA-ja vazhdojnë evakuimin e qytetarëve nga zonat e prekura.
 
ARMEND MURSELI