Maqedoni
VLEN finalizon bashkimin, Mexhiti: Shkrirja, çështje ditësh
04.03.2026 14:32
Shkrirja e koalicionit VLEN në një parti të vetme politike po shkon drejt finalizimit...

Shkrirja e koalicionit VLEN në një parti të vetme politike po shkon drejt finalizimit. Kështu deklaroi njëri nga krerët e këtij koalicioni, Izet Mexhiti, duke bërë të ditur se edhe subjekti që ai drejton ka vendosur unanimisht të shkrihet në VLEN. I pyetur për zhvillimet brenda Aleancës për Shqiptarët, e cila është pjesë e VLEN-it dhe për dilemat se kush e përfaqëson këtë parti Arben Fetai apo Azir Aliu, Mexhiti theksoi se kjo është çështje e brendshme e ASH-së, por sipas tij, më e rëndësishme është konsolidimi i VLEN-it si subjekt i vetëm politik.
“Është çështje e brendshme e ASH-së, mirëpo mendoj se çështje më e rëndësishme është VLEN-i, për shkak se ASH-ja, LD-ja, Besa, Alternativa, do të mbesin një javë-dy. Pas shkrirjes, pas formimit të VLEN-it, më e rëndësishme është VLEN-i. Pak e rëndësishme se kush do të jetë edhe një javë apo dy përfaqësues i LD-së, i ASH-së e i të tjerëve. Mendoj që të dy janë VLEN. Edhe të dy kanë sjellë vendim për shkrirje në VLEN. Me rëndësi përfundojnë në VLEN, sikurse përfunduam edhe ne.”, u shpreh kryetari i LD-së, Izet Mexhiti.
Ndërkohë, i pyetur nëse në rast të një rikonstruimi eventual të Qeverisë do të vazhdojë të mbetet zv/kryeministër Arben Fetai, Mexhiti u shpreh se Fetai ka treguar performancë dhe rezultate të mira në detyrë dhe se, sipas tij, nuk ka arsye për largimin e tij.
ERSAN PAJAZITI
