Botë

Lufta SHBA-Iran, Evropa kundër luftës, forcon mbrojtjen

04.03.2026 14:56

Lufta në Lindjen e Mesme rrezikojnë rihapjen e tensioneve globale dhe kanë ngjallur shqetësime serioze në Evropë....

Sulmet e fundit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraeli ndaj Iranit, rrezikojnë rihapjen e tensioneve globale dhe kanë ngjallur shqetësime serioze në Evropë. Ministria e Mbrojtjes Kombëtare turke njoftoi mesditën e sotme se një raketë balistike u lëshua nga Irani dhe kaloi hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë përpara se të shkonte drejt Turqisë. Drejtori i Komunikimit të Turqisë, Burhanettin Duran, konfirmoi se çdo hap për të mbrojtur tokën dhe hapësirën ajrore do të merret pa hezitim, duke ripërsëritur vendosmërinë e Ankarasë për mbrojtjen e vendit. Më herët avionët F16 të Greqisë ndaluan dy objekte fluturues të dyshuar si dronë që ishin nisur nga Libani në drejtim të Qipros.
 
Mbërritja e fregatave “Kimon” dhe “Psara” në zonën e Qipros kanë rritur sigurinë jo vetëm për shtetin ishullor, por edhe për gjithë vendet e Ballkanit.
 
Kryeministri spanjoll është i prerë se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në veprime ushtarake dhe as nuk do ta mbështesë përshkallëzimin e konfliktit. Madridi thotë se do të vazhdojë të angazhohet për de-përshkallëzim dhe kthim në tryezën e negociatave, duke paralajmëruar se konflikti i zgjatur mund të ketë pasoja serioze për Evropën. Spanja është ndër vendet e pakta evropiane që e kanë dënuar hapur aksionin e SHBA-së dhe Izraelit.
 
“Disa do të na akuzojnë për naivë për këtë, por naiv është të mendosh se dhuna është zgjidhja. Është naiv të besosh se demokracitë ose respekti midis kombeve lindin nga rrënojat, ose të mendosh se ndjekja e verbër dhe servile është një formë udhëheqjeje. Spanja qëndron pranë parimeve themeluese të Bashkimit Evropian, qëndron pranë Kartës së Kombeve të Bashkuara, qëndron pranë së drejtës ndërkombëtare dhe për këtë arsye qëndron pranë paqes.”, u shpreh kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.
 
Ministrat e Jashtëm të Polonisë dhe Rumanisë, Radoslav Sikorski dhe Oana-Silvia Toiu, bënë thirrje për de-përshkallëzim të veprimeve ushtarake në Lindjen e Mesme, në Iran dhe në Gjirin Persik. Të dy politikanët u bënë apel të gjitha palëve të përfshira në konflikt që të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Ata theksuan se çështja më e rëndësishme aktualisht është mbrojtja e civilëve në vendet e rajonit, si dhe e shtetasve të huaj që ndodhen atje.
 
“Një tjetër shqetësim që kemi në këtë moment është mungesa e qartësisë sa i përket kohëzgjatjes së konfliktit dhe mundësisë së përshkallëzimit të tij në situatën aktuale. Askush nuk e ka këtë qartësi, por ne po koordinohemi në nivel evropian dhe me ministrat e jashtëm në Lindjen e Mesme për të gjetur një rrugë drejt de-përshkallëzimit dhe mbrojtjes së jetëve të civilëve dhe të qytetarëve evropianë.”, u shpreh Ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana-Silvia Toiu.
 
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje, të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të mbrojnë civilët. Qëndrojmë në solidaritet me Katarin, Bahreinin, Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Jordaninë dhe Omanin, të cilat kanë pësuar si rezultat i përshkallëzimit të veprimeve të armatosura, në të cilat fillimisht nuk ishin të përfshira. Prioritet për ne është të sigurojmë sigurinë e qytetarëve tanë që ndodhen në rajonin e konfliktit. Ne mbështesim veprimet e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas. Uniteti i BE-së duhet të ruhet.”, u shpreh Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslav Sikorski.
 
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, akuzoi Shtetet e Bashkuara se po përdorin një kërcënim imagjinar nga Irani si pretekst për të rrëzuar rendin kushtetues, duke deklaruar se procesi i negociatave ishte thjesht një mbulesë.
 
“Nuk ka dyshim se kërcënimi imagjinar iranian, siç është përsëritur gjatë viteve, ishte thjesht një pretekst për të zbatuar një plan të gjatë e të ëndërruar për të rrëzuar me dhunë rendin kushtetues në një shtet sovran të padëshiruar për Uashingtonin dhe Tel Avivin përsëri, një anëtar i Kombeve të Bashkuara. Dhe rifillimi i procesit të negociatave u bë thjesht një mbulesë.”, u shpreh Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
 
Ministria e Jashtme në Teheran e bëri të qartë se veprimet evropiane po ndiqen me kujdes nga regjimi iranian. Evropa është e përfshirë edhe sepse, pavarësisht faktit që për momentin është kursyer, një pjesë të faturës së luftës po e paguan tashmë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, paralajmëroi se Bashkimi Evropian nuk duhet të “rrëshqasë” drejt “mënyrave historike, naziste të të menduarit”, gjë që sipas tij do të nënkuptonte mbështetje për sulmet amerikano-izraelite kundër Iranit.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI