Maqedoni

Shtetasit e RMV-së në Lindjen e Mesme, 632 persona kërkojnë informacione për evakuim

04.03.2026 15:10

Gjithsej 632 shtetas të Maqedonisë kanë kërkuar informacione për evakuim nga Lindja e Mesme...

Gjithsej 632 shtetas të Maqedonisë kanë kërkuar informacione për evakuim nga rajonet e prekura të Lindjes së Mesme njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme. Prej tyre, 136 persona janë regjistruar në Doha, ndërsa numri në Abu Dabi vazhdon të rritet dhe aktualisht arrin rreth 477 persona.
 
“Sa i përket shtetasve të Maqedonisë në Izrael, numri mbetet i pandryshuar. Për një pjesë të tyre (gjithsej 6 persona), evakuimi është përfunduar me ndërmjetësimin e Ministrisë dhe ata kanë vendosur që me shpenzimet e tyre, përmes fluturimeve komerciale, të kthehen në Shkup. Gjashtë personat e tjerë, të cilët kanë shprehur gatishmëri për evakuim, gjatë ditës do të transportohen me rrugë tokësore nga Izraeli në Egjipt, me asistencën e përfaqësive diplomatiko-konsullore. Ata do të akomodohen në një vend të sigurt, në hotel me shpenzime të shtetit, ndërsa pritet që gjatë ditës së nesërme me avionin qeveritar të nisen në mënyrë të sigurt drejt Shkupit.”, theksojnë nga MPJ. 
 
Qytetarë të Maqedonisë së Veriut që gjenden në Lindjen e Mesme për servisin publik theksojnë se situata është më e qetë se sa para dy ditësh dhe se jeta ka filluar të normalizohet. 
 
“Treguam solidaritet të madh të gjithë ne që jemi këtu, qoftë për Maqedoninë, qoftë për rajonin tonë. Në lidhje me atë, nëse dikush është i bllokuar në shtetet fqinje dhe nëse rastësisht vijnë me autobus ose me avion në Arabinë Saudite si destinacion të radhës, e më pas do të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre, u thamë që lirisht të na kontaktojnë.”, u shpreh Hari Janevski, nga Rijad- Arabia Saudite.
 
“Nuk ka asnjë zhurmë dhe duket sikur situata është më e qetë, ndryshe nga ajo që ishte para dy ditësh. Shoh që njerëzit tashmë dalin së bashku me fëmijët e tyre nëpër rrugë, luajnë nëpër parqe dhe ka shumë makina.”, u shpreh Nikolaj Pavlovski, nga Dubai-Emiratet e Bashkuara Arabe.
 
Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme apelon edhe një herë ndaj të gjithë shtetasve të Maqedonisë që ndodhen në rajonet e prekura që, nëse ende nuk e kanë bërë, menjëherë të kontaktojnë me përfaqësinë diplomatiko-konsullore përkatëse ose me numrin SOS të Ministrisë.
 
BELINDA KOKA ADEMI