Ekonomi

Puna sezonale, Durmishi sqaron detajet ligjore

04.03.2026 15:24

Durmishi prezantoi mundësinë e re që ligji u mundëson punëdhënësve të angazhojnë punëtorë sezonal në hoteleri, bujqësi dhe amvisëri....

Ministri i Ekonomisë dhe i Punës, Besar Durmishi, prezantoi mundësinë e re që ligji u mundëson punëdhënësve të angazhojnë punëtorë sezonal në hoteleri, bujqësi dhe amvisëri. Ai tha se mund të punojnë edhe personat që shfrytëzojnë ndihma sociale, pa e humbur këtë të drejtë. Sipas tij, në sektorin e hotelerisë punësimi sezonal mund të arrijë deri në 10% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve, ndërsa në bujqësi punëtorët sezonal mund të angazhohen deri në 180 ditë brenda vitit.
 
“Në hoteleri, e cila është një sektor kryesor në Tetovë, mundësojmë angazhim legal të thjeshtësuar të stafit sezonal dhe kohëpaskohshëm, kamerier, kuzhinier, shpërndarës me rregulla të përcaktuara në këtë ligj. Objektet mund të angazhojnë deri në 10 persona ose 10% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve përmes procedurës së thjeshtësuar elektronike. Kjo nuk është vetëm për hotelerinë, por mundësojmë zgjedhje edhe në bujqësi, angazhojmë punësime sezonale deri në 180 ditë, që është e rëndësishme për këtë rajon. Në amvisëri krijohet mundësi për punësime si përkujdesje ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe mirëmbajtje. Angazhimi drejt kupton që punëtori përfiton të ardhura legale, kontribute të paguara për pensional dhe invalidor dhe sigurim shëndetësor. Personat e papunë nuk e humbasin të drejtën e tyre, as përfituesit e mbrojtjes sociale”, tha ministri i Ekonomisë dhe i Punës, Besar Durmishi.
 
Durmishi shtoi se janë duke punuar edhe për krijimin e një “Shporte konsumatore” të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, e cila sipas tij do të bazohet në të dhëna reale nga Enti i Statistikave.
 
“Ajo shportë do të jetë reale duke u bazuar në të dhëna reale nga Enti statistikor. Nuk do të jetë shportë siç e prezantojnë sindikatat. Ata e quajnë se është shportë minimale, por vetë ata profesorë që e kanë bërë atë shportë minimale me atë metodologji thonë se nuk është shportë minimale, por është shportë që përfshin më shumë artikuj, gjegjësisht më shumë familje. Ne do të bëjmë një shportë mesatare konsumatore ku do të bazohet në çmime reale dhe do të jetë e besueshme për të gjithë opinionin”, u shpreh ministri i Ekonomisë dhe i Punës, Besar Durmishi.
 
I pyetur nëse luftërat në Lindjen e Mesme mund të ndikojnë në ekonominë e vendit, Durmishi tha se për momentin nuk ka ndikim, por nëse paraqiten probleme Qeveria do të marrë masa adekuate.
 
VISAR SADIKI