Maqedoni
Dita botërore e obezitetit, rritet numri i fëmijëve mbipeshë
04.03.2026 16:00
Me rastin e ditës botërore të obezitetit u theksua se rreth 60 përqind e popullatës në vend vujanë nga mbipesha....

Me rastin e ditës botërore të obezitetit u theksua se rreth 60 përqind e popullatës në vend vujanë nga mbipesha. Mjeku Irfan Ahmeti theksoi se ka shumë faktorë që shkaktojnë mbipeshën si faktori gjenetik, mënyra jo e shëndetshme e jetesës si dhe pasiviteti fizik. Me fushatën këtë vit mjekët dhe shoqatat e ndryshe kanë për qëllim të ngrisin vetëdijen tek popullata pasi që obeziteti si sëmundje kronike nuk është vetëm problem estetik por edhe shkakton sëmundje të ndryshme.
“Vendi ynë është shtet obezogjen ne e quajmë për arsye se kemi diku mbi 60 përqind njerëz që janë ose me mbipeshë ose obez të trashë. Kemi një prevalencë jashtëzakonisht të madhe, parashikimet janë që numri i personave obez të rritet prandaj duhet të merren masa për parandalimin e obezitetit si tek të rriturit ashtu edhe te fëmijët dhe të rinjtë sepse obeziteti është sëmundje kronike… sëmundje kronike e cila jep shumë komplikacione shumë sëmundje tjera ku shkaktar është obezitetit.”, u shpreh drejtori i Klinikës së Endokrinologjisë, Irfan Ahmeti.
“Një propozim i ri është të futet një taksë mbi sheqerin ose një taksë mbi pijet e ëmbëlsuara, që do të thotë se këto pije do t'i nënshtrohen një takse shtesë bazuar në sasinë e sheqerit në pije.”, u shpreh Drejtori i FSSH-së, Sasho Klekovski.
“Sipas statistikave tona, numri i personave me obezitet është i lartë që domethën problem në shëndetin publik. 6 nga 10 persona të rritur janë me obezitet ose kanë mbipeshë. Shqetësuese është se po rritet numri i fëmijëve që kanë mbipeshë. 1 nga 3 fëmijë kanë problem me peshën.”, u shpreh Akim Ali nga OBSH.
Sipas të dhënave nga ISHP fëmijët nga mosha 6-deri në 9 vjeç kanë probleme me peshën dhe 32 përqind prej tyre kanë mbipeshë ndërsa 13.7 përqind e fëmijëve jetojnë me obezitet, që është mbi mesataren evropiane. Mbipesha dhe obeziteti janë më të zakonshme tek djemtë sesa tek vajzat.
VLORA LATIFI
