Konflikti në Lindjen e Mesme, sulme të reja mes Izraelit dhe Iranit

05.03.2026 13:09

Izraeli ka vazhduar sulmet në Liban dhe Iran...

Izraeli ka vazhduar sulmet në Liban dhe Iran, duke thënë se ka goditur një lëshues raketash në Qom dhe një sistem të mbrojtjes ajrore në Isfahan, ndërkohë që janë raportuar shpërthime edhe në kryeqytetin Teheran.

Mediat në Liban kanë raportuar mbrëmë për vrasjen e tre dhe plagosjen e gjashtë personave pas dy goditjeve në kryeqytet, ndërsa mëngjesin e sotëm janë raportuar sulme në jug të Bejrutit, zonë që konsiderohet bastion i pjesëtarëve të Hezbollahut. Edhe Irani ka vazhduar sulmet ndaj Izraelit. Sirenat janë lëshuar në Tel Aviv dhe Jerusalem, ndërsa në qiell janë parë shpërthime që besohet se janë shkaktuar nga sistemi mbrojtës izraelit, i cili ka ndërhyrë për të penguar raketat të arrijnë objektivat. Dy civilë janë plagosur si pasojë e një sulmi me dron që dyshohet se është kryer nga Irani në Azerbajxhan, njoftoi Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit.

Sipas ministrisë, një dron goditi ndërtesën e terminalit të aeroportit në Republikën Autonome të Nakhchivanit, duke shkaktuar dëme materiale. Ndërkohë, një dron tjetër ra pranë një ndërtese shkolle në fshatin Shakarabad.

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit bëri të ditur gjithashtu se ambasadori i Iranit në Azerbajxhan është thirrur në ministri. Sipas njoftimit, atij do t’i përcillet një protestë e fortë dhe do t’i dorëzohet një notë zyrtare proteste.

Media shtetërore iraniane ka raportuar se aeroplanë të forcave detare kanë goditur një tanker amerikan në pjesën veriore të Gjirit Persik, i cili sipas tyre është përfshirë nga flakët.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, Senati me 47 vota për dhe 53 kundër nuk e ka miratuar projektligjin për kufizimin e fuqive të presidentit Donald Trump për të urdhëruar veprime të mëtejshme luftarake në Iran pa miratimin e Kongresit.

Për të njëjtën çështje, nesër pritet të votohet edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.