Tiranë, votëbesim për 7 ministrat e rinj
Mes kaosit, 7 anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar...

Mes kaosit, 7 anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar morën këtë të enjte votëbesimin e Kuvendit. Berisha, i rrethuar nga ligjvënësit e tjerë demokratë, zaptoi foltoren në momentin që nisi votimi për ndryshimet në qeveri, ndërsa socialistët shoqëronin çdo votim me duartrokitje.
Para se të konfirmonte krerët e rinj në dikastere, Kuvendi votoi edhe shkarkimet e tashmë ish-ministrave, me dekretin për Belinda Ballukun, që më shumë se të tjerët mori shumicë të cilësuar, 85 vota pro shkarkimit.
Për votimin e ndryshimeve të propozuara prej tij, në seancë nuk mori pjesë kryeministri, Edi Rama. Mungoi edhe vetë Balluku, e cila me shkarkimin nga 2 detyrat në qeveri, tashmë do të duhet të zërë një karrige mes deputetëve socialistë.
Ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali nuk e fshehu zhgënjimin për spostimin nga qeveria.
“Më vjen keq që shkarkimin tim e paralajmëroi Berisha” – tha Elisa Spiropali.
“Nuk të hoqi Berisha, të hoqi Balluku” – iu kundërpërgjigjë, Sali Berisha.
Ndërsa opozita, në vend të urimit, pati një paralajmërim: “Sali Berisha vendin në burg do e keni edhe ju.”
Ministrat e rinj do të betohen te Presidenti nesër në orën 10:00, në një ceremoni që do të mbahet në Pallatin e Brigadave. (Luljeta Ndoka, TVM2)
