Lindja e Mesme, SHBA dhe Izraeli vazhdojnë ofenzivën ndaj Iranit
Izraeli dhe SHBA-ja kanë vazhduar një ofensivë...

Izraeli dhe SHBA-ja kanë vazhduar një ofensivë në shkallë të gjerë ndaj Iranit që nga e shtuna, duke vrarë të paktën 926 persona, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë.
Senati Amerikan ka mbështetur autorizimin e Trump për operacione të reja ushtarake në Iran. Dërgimi i trupave në terren nuk është pjesë e planit për momentin, megjithëse opsioni mbetet në tryezë.
Uashingtoni pretendon se është bërë përparim i madh në front në më pak se një javë. Ndërsa Irani nga ana tjetër është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që shënjestrojnë Izraelin si dhe vendet e Gjirit që janë shtëpi e aseteve ushtarake amerikane.
"Po shkojmë shumë mirë në frontin ushtarak, nëse dikush do të më pyeste në një shkallë prej 10, do ta vlerësoja me 15. Dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne kemi ushtrinë më të madhe në botë. Ata kanë qenë një kërcënim i madh për ne, ata kanë vrarë njerëz në të gjithë botën për 47 vjet. Ne kemi mbështetje të madhe dhe nëse nuk do ta kishim bërë ne të parët, ata do ta kishin bërë”. – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
"Dërgimi i trupave nuk është pjesë e planit aktual, por nuk do ta përjashtoj një opsion për presidentin që është në tryezë". – u shpreh Carolyn Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Paralajmërime për sulme nga Irani kanë raportuar edhe nga Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit, si dhe Ministria e Mbrojtjes së Katarit, që raportoi se janë vërejtur sulme me raketa.
Paralelisht, Izraeli vazhdoi të bombardonte objektivat e Hezbollahut në Liban.
“Ne shkatërruam afërsisht 300 sisteme mbrojtëse dhe raketa balistike iraniane. Ne shënjestruam vendet e infrastrukturës bërthamore të Iranit, një rrjet terrorist për prodhimin e armëve strategjike, si dhe një kompleks ushtarak nga i cili operativët e regjimit kryen një fushatë kundër Izraelit dhe promovuan një axhendë terroriste në të gjithë botën.” – deklaroi Effie Defrin, zëdhënëse e ushtrisë izraelite.
Por nga Hezbollahu raportuan se do të vazhdojnë ti godasin objektivat e armikut.
“Ne do të vazhdojmë të godasim objektivat e armikut izraelito-amerikan dhe do të mbetemi të palëkundur në qëndrimin tonë për të refuzuar projektet e armikut”. – theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem.
Irani ka kërcënuar të sulmojë kompleksin bërthamor në Dimona, nëse Izraeli dhe SHBA vazhdojnë me sulmet. Ata kanë nisur një ofensivë hakmarrëse kundër Izraelit dhe po sulmojnë objektiva amerikane në rajon.
“Morëm një telefonatë ku na pyetën se ku ishim pasi mësuan se ndërtesa jonë ishte goditur. Ishim me fat që ishim jashtë”. – tha Raghad, një banorë i Irbilit.
OKB shpreson për një përfundim të shpejtë të konfliktit, ndërkohë, tensionet po rriten midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, pasi Trump kërcënoi të ndërpresë tregtinë me Spanjën pasi Madridi refuzoi bashkëpunimin ushtarak në përshkallëzimin në Iran. BE vlerësoi se një vendim i tillë është një kërcënim për të gjithë Evropën, ndërsa Italia, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania kanë thënë se do të dërgojnë mbrojtje ajrore në vendet e lindjes së mesme. (Fitim Kryeziu, TVM2)
