Maqedoni
Gjykimi për tragjedinë në diskotekën “Puls”, vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve
05.03.2026 15:07
Gjykimi për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan...

Gjykimi për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën mbi 60 persona, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve okularë, të cilët shpjeguan momentet e frikshme të tragjedisë dhe të evakuimit.
Në seancën e sotme gjyqësore, gjykatësja e lëndës, Diana Gruevska, njoftoi se Këshilli gjykues nuk e pranoi kërkesën e avokatëve për bashkimin e disa lëndëve që lidhen me tragjedinë në diskotekën “Puls” në një procedurë të vetme.
Sipas saj, procedura është në fazën e paraqitjes së provave dhe bashkimi eventual i tyre do të çonte në zvarritjen e procedurave, si të kësaj ashtu edhe të procedurave të tjera. Vendimi për bashkimin e lëndëve nuk është ekonomikisht i arsyeshëm dhe është në kundërshtim me parimin e efikasitetit të procedurës, që procesi të zhvillohet pa vonesa të panevojshme.
Edhe pse bëhet fjalë për të njëjtën ngjarje, procedurat zhvillohen para departamenteve të ndryshme, si në Prokurori ashtu edhe në Gjykatë. Ndërkohë, argumentet e mbrojtjes janë se ekzistojnë prova të përbashkëta, të arsyeshme për përcaktimin e gjendjes faktike.
“Kjo do të nënkuptonte edhe më shumë zvarritje të procedurës, sepse përveç ekipit prej 15 prokurorësh që po veprojnë në këtë rast, do të ishte e nevojshme edhe prania e prokurorëve shtesë nga PTHPNKOK”, tha gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska.
Ndërkohë, sërish në seancë, me arsyetimin për shkaqe shëndetësore, mungoi i akuzuari Grozdan Milkovski, pronari i objektit ku ndodhej i ashtuquajturi kabare “Puls” në Koçan. Ai edhe në disa nga seancat e mëparshme është ankuar për gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa njëra prej tyre ishte shtyrë pikërisht për këtë arsye.
Lidhur me kërkesën e të akuzuarit Milkovski që të mos marrë pjesë në seanca, gjykatësja theksoi se radhën tjetër kur ai nuk do të paraqitet në gjykim, do t’i caktohet paraburgim. Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan të pafajshëm.
FLORIJE KAMBERI
