Maqedoni

Tragjedia në Karposh, kërkohet vazhdim i paraburgimit për të dyshuarin

05.03.2026 15:42

Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkon zgjatjen e masës...

Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkon zgjatjen e masës së paraburgimit afatshkurtër edhe për 48 orë të tjera për bashkëshortin e viktimës, gruas e cila para disa ditëve u hodh nga ballkoni në Shkup së bashku me fëmijën e saj.
 
“Ky propozim u paraqit sepse po veprohet sipas urdhrave të lëshuara për ekspertizë të tre telefonave celularë dhe objekteve të tjera, po sigurohen dhe analizohen regjistrime video nga disa vende kritike, si dhe po sigurohet i gjithë dokumentacioni për ankesat dhe raportet e mëparshme për dhunë në familje që lidhen me të dyshuarin dhe gruan e ndjerë"- thonë nga Prokuroria Publike.
 
Ministria e Punëve të Brendshme tha se i dyshuari Stojançe Jovanovski ishte i njohur tashmë për policinë për vepra që lidhen me dhunën dhe aktivitete të tjera kriminale.
 
Ministri i Punëve të Brendshëm Pançe Toshkovski, ka njoftuar se në vitet e fundit, policia e Shkupit ka ngritur gjithsej 10 kallëzime penale kundër të dyshuarit për vepra në fushën e krimit të dhunshëm, krimeve kundër pronës dhe trafikimit të paligjshëm të drogës.