Lufta SHBA-Izrael me Iranin, dita 7, Trump: Irani s’ka më flotë detare
Ofensiva amerikano-izraelite ndaj Iranit është intensifikuar...

Ofensiva amerikano-izraelite ndaj Iranit është intensifikuar, duke goditur infrastrukturën kyçe në Teheran. Sipas presidentit të SHBA-së, Donald Trump, forcat iraniane detare dhe ajrore janë shkatërruar.
Ai u premtoi amnisti të gjithë ushtarëve iranianë që do të dorëzojnë armët.
Ndërkohë i ka këshilluar diplomatët iranianë të kërkojnë azil, ndërsa populli të marrë fatin në duart e veta. Presidenti theksoi se liderët iranianë janë gati të nënshkruajnë një marrëveshje, por tani është vonë për këtë.
“Flota e tyre s’është më. 24 anije në tre ditë, janë asgjësuar. Flota ajrore dhe armatimi s’janë më. Është koha të mbroheni për popullin iranian dhe të ndihmoni të riktheni vendin tuaj. Keni një mundësi pas gjithë këtyre viteve. Ne do t’ju japim amnisti dhe anën e duhur të historisë, ose do të përballeni me një vdekje të garantuar absolutisht. Nuk dua ta shoh këtë. Gjithashtu, ftojmë diplomatët iranianë në botë të kërkojnë azil dhe të na ndihmojnë të formojmë një Iran të ri dhe më të mirë me potencial të madh. Një e ardhme shumë më e mirë për Iranin fillon tani dhe mendoj se do të jetë e shkëlqyer…” – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Irani mohon të ketë kërkuar negociata me SHBA-në
Autoritetet iraniane mohojnë se kanë kërkuar bisedime me SHBA-në për të përfunduar luftën. Ata nuk shohin nevojë për armëpushim.
“Ne nuk kërkojmë armëpushim dhe nuk shohim ndonjë arsye për të negociuar me SHBA-në, pasi kemi biseduar me ta dy herë. Dhe çdo herë ata na sulmonin gjatë negociatave. Pra, nuk ka kërkesë për armëpushim nga ana jonë dhe nuk ka kërkesë për negociata me SHBA-në. Asnjëherë nuk u kemi dërguar ndonjë mesazh.” – u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Araghchi.
Zamir: Kemi kryer mbi 2500 sulme ndaj Iranit
Teherani kthen me sulme ndaj objektivave izraelite dhe amerikane në vendet e Gjirit. Granatime të reja në Bahrain dhe Katar, raketa të interceptuara në Kuvajt dhe Arabinë Saudite. Ushtria izraelite thotë se ka kryer mbi 2500 sulme ndaj Iranit. Veprimet ushtarake vazhdojnë edhe në Liban.
“Brenda 24 orëve, pilotët tanë hapën rrugën drejt Teheranit. Shkatërruam rreth 80% të sistemeve iraniane të mbrojtjes ajrore dhe arritëm një mbizotërim ajror pothuajse të plotë mbi qiellin iranian…” – deklaroi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Eyal Zamir.
Kina u bën thirrje palëve të ndalojnë sulmet
Nga ana tjetër SHBA-ja lejon Indinë të blejë përkohësisht naftë ruse për shkak të luftës në Iran. Ndërsa Pekini po negocion me Teheranin për kalim të sigurt të anijeve të tij në Gjirin e Hormuzit.
“Gjiri i Hormuzit dhe ujerat përreth janë kanale të rëndësishme për tregtinë ndërkombëtare. Kina i bën thirrje të gjitha palëve të ndalojnë menjëherë operacionet ushtarake, të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe të shmangin paqëndrueshmëri rajonale që mund të ndikojë më gjerë në ekonominë globale.” – theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning.
Presidenti amerikan thotë se masa të tjera për të lehtësuar presionin mbi naftën janë të pashmangshme. Konflikti i përshkallëzuar midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar humbje të mëdha jete.
Sipas Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, rreth 1 230 persona janë vrarë që nga fillimi i bombardimeve, duke përfshirë civilë dhe ushtarakë.
UNICEF raporton se rreth 180 fëmijë besohet të jenë vrarë, shumica gjatë një sulmi mbi një shkollë vajzash në Minab.
UNICEF ka theksuar shqetësimin e saj për numrin e lartë të viktimave mes fëmijëve dhe ka bërë thirrje për mbrojtje të civilëve dhe fëmijëve sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. (Armend Murseli, TVM2)
