Kosovë, dështon zgjedhja e Presidentit, Osmani shpërndanë Kuvendin
Në mungesë të dy të tretës së votave të deputetëve...

Në mungesë të dy të tretës së votave të deputetëve, Kuvendi i Kosovës të enjten deri në mesnatë nuk arriti të zgjedh presidentin e ri të shtetit. Në seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit qeverisës, ndërsa munguan deputetët e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK, pasi opozita nuk pati votë për asnjërin nga dy kandidatët e propozuar për president, nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
"Nuk mund të vazhdojmë me votimin e raundeve sepse siç e dini në votimin e parë duhet të votojnë të paktën 80 deputet, edhe në votimin e dytë duhet të marrin pjesë 80 deputet, në votimin e tretë duhet të marrin pjesë 61 deputet. Me këtë rast po e ndërpres këtë seancë dhe natyrisht do ta vazhdojmë nëse krijohen kushtet." – tha Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
LVV çon në Kushtetuese dekretin e Osmanit
Menjëherë pas ndërprerjes së seancës, Haxhiu ka njoftuar se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit.
Por, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vendosi ta shpërndaj Kuvendin pa e pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës. Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe nëpërmjet këtij dekreti po kryej obligimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë”. – deklaroi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu.
Reagon Lëvzja Vetëvendosje, e cila do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
"Shpërndarja e Kuvendit paraqet një akt të pa precedent i cili bie ndesh me rendin tonë kushtetues dhe ne do të drejtojhemi gjykatës kushtetuese për këtë. Nuk ka asnjë arsye se pse duhej të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes”. – tha Arbërie Nagavci nga Lëviza Vetëvendosje.
PDK, LDK dhe AAK përkrahin Osmanin
Por krerët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së vlerësojnë se vendimi i presidentes është në përputhje me Kushtetutën.
“Presidentja e ka marrë vendimin në përputhje me rendin kushtetues, megjithatë besoj dhe shpresoj se e ka analizuar mirë” – deklaroi Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
“Mbështes dhe mirëpres, siç edhe pritej, dekretin dhe qëndrimin e Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit. LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës”, shkruan kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku në rrjetet sociale.
“Dekreti është rrjedhojë e këtyre afateve, është e drejtë dhe çdo aspekt tjetër I ecjes përpara duhet të bëhet në bazë të afateve kushtetuese”. – theksoi Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pas shpërndarjes së Kuvendit presidentja Osmani thirri liderët partiak, për t’i konsultuar lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.
Në takim ishin të pranishëm liderët e partive opozitare, por jo edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Si opcion për zgjedhje janë përmendur 5, 12 dhe 19 prilli. (Gyltene Sinani, TVM2)
