Lufta në Lindjen e Mesme, Trump: Forcat iraniane t’i ulin armët
Presidenti amerikan, Donald Trump...

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka bërë thirrje anëtarëve të ushtrisë dhe policisë iraniane si dhe Gardës Revolucionare Islamike të Iranit që t’i ulin poshtë armët, duke u premtuar “imunitet të plotë” nëse e braktisin udhëheqjen klerikale të shtetit.
Ai i ka bërë këto deklarata teksa shqetësimet sa shkojnë e rriten që lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit po përhapet në gjithë Lindjen e Mesme, dhe nuk po prek vetëm aleatët arabë të Uashingtonit, por edhe vendet tjera që nuk janë pjesë e Gjirit, sikurse Azerbajxhani, Turqia, Qiproja dhe madje Shri Lanka, rreth 3.900 kilometra larg.
“U bëj thirrje edhe një herë të gjithë anëtarëve të Gardës Revolucionare Islamike, ushtrisë dhe policisë që t’i ulin armët. Tani është koha të rreshtoheni me popullin iranian dhe të ndihmoni në kthimin e shtetit tuaj”, është shprehur Presidenti amerikan, Donald Trump.
Ai ka thënë se Uashingtoni do të ndihmojë në zgjedhjen e liderit të ri në Iran, pasi lideri suprem, Ali Khamenei është vrarë në fazat fillestare të luftës që ka nisur më 28 shkurt.
Trump, duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, e ka hedhur poshtë mundësinë që Mojtaba Khamenei, djali i liderit suprem të vrarë, të dalë në krye të shtetit, duke e quajtur “peshë të lehtë”.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth e ka paralajmëruar Teheranin se ka gabuar nëse ka menduar që Shtetet e Bashkuara nuk mund ta vazhdojnë luftën, duke shtuar se forcat amerikane sapo kanë nisur të luftojnë.
