Botë
Lufta në Lindjen e Mesme, Evropa përballet me sfida të reja sigurie
06.03.2026 15:42
NATO e ka rritur mbrojtjen balistike raketore në nivel të Aleancës...

NATO e ka rritur mbrojtjen balistike raketore në nivel të Aleancës pasi u interceptua një raketë nga Irani e drejtuar drejt Turqisë. Gjashtë ditë nga fillimi i luftës, gjithnjë e më shumë vende evropiane premtojnë ndihmë mbrojtëse për Qipron dhe aleatët në Gjirin Persik pas sulmit ndaj bazës britanike.
“Ndërsa rrethanat në çdo konflikt ndryshojnë, ne duhet të jemi të gatshëm të përshtatim veprimet që ndërmarrim”, deklaroi John Healey ministri i mbrojtjes së Britanisë së Madhe.
Edhe Italia, Spanja, Franca dhe Holanda kanë dërguar forca detare për mbrojtjen e Qipros, si përgjigje ndaj rritjes së tensioneve në pjesën lindore të Mesdheut.Ndërkohë, zyrtarët evropian po e vendosin në qendër të prioriteteve nevojën e fuqizimit të industrisë evropiane të armëve. Kjo pasi sipas tyre, Evropa do të duhet të përballet me një sfidë shumë të madhe lidhur me mbrojtjen nga raketat.
“Të gjitha ngjarjet që po ndodhin në Lindjen e Mesme e bëjnë edhe më të rëndësishme pavarësinë tonë në prodhim, zinxhirët e furnizimit dhe zhvillimin e kapaciteteve të industrisë tonë të mbrojtjes”, theksoi zv/ kryeministër i polonisë Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.
“Tani është shumë e qartë se pas krizës iraniane, nëse mund ta quajmë kështu, u bë edhe më urgjente për ne në Evropë të rrisim prodhimin e mbrojtjes ajrore dhe raketave anti-balistike. Sepse amerikanët thjesht nuk do të jenë në gjendje të sigurojnë mjaftueshëm raketa, as për vendet e Gjirit, as për ushtrinë amerikane dhe as për ukrainasit”, u shpreh Andrius Kubilius, komisioner i BE-së për çështjet e mbrojtjes.
Përndryshe edhe Europoli alarmon se lufta në Lindjen e Mesme do të ketë pasoja direkte për sigurinë e Bashkimit Evropian, nga rritja e kërcënimit nga terrorizmi dhe krimi i organizuar, deri te ekstremizmi i dhunshëm dhe sulmet kibernetike.
ERSAN PAJAZITI
